Arbëri

Qytetari në Podujevë ankohet se i erdhi fatura e njëjtë, edhe pse ishte në det

Të dyshimta po i duken Sheqir Maliqit nga Podujeva faturat e KEDS-it.

Megjithëse prej 1 korrikut ka qëndruar plot 17 ditë në det me tërë familjen, atij i ka shkuar fatura me çmim të njëjtë si në qershor.

Ky banor ka shprehur dyshimin se KEDS-i nuk po i lexon njehsorët elektrikë.

“Unë e kam një brengë me rrymë se unë më 1 korrik me familje kam qenë në pushim deri më 17 korrik, në orën 15:00 jam kthye në shtëpi. Pra, 17 ditë nuk kam qenë më këtu. Më 21 korrik më ka ardhur fatura 58 euro e 64 centë, a unë 17 ditë pa qenë këtu. Ndërsa fatura e qershorit që kam qenë me familje këtu më ka ardhë 58 euro. Tash unë nuk e di a e kanë programua atë orë digjitale me ardhë njësoj (fatura v.j.) apo ndonjë dallaver, unë po dyshoj”, ka thënë ai.

Sipas Maliqit, sa kanë qenë njehsorët manualë, kanë pasur mundësi edhe qytetarët ta shohin se sa po shpenzojnë brenda muajit, ndërsa me njehsorët digjitalë, ai ka hedhur dyshime se KEDS-i po i faturon sipas dëshirës.

Në anën tjetër, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, nëpërmjet një përgjigje me shkrim ka thënë se shpenzimi nuk lidhet automatikisht me kohën e qëndrimit në shtëpi. Sipas tij, energjia i është faturuar aq sa ka shpenzuar.

“Akuzat eventuale janë komplet të pabaza. Orët e energjisë elektrike nuk mund të programohen, por regjistrojnë aq sa ka shpenzim. Ato kanë edhe bllombat shtetërore. Ndryshe, për çdo dyshim ne e lusim konsumatorin të ushtrojë ankesë te sportelet për konsumatorë dhe KEDS-i do ta dërgojë një ekip në kohën më të shkurtër të mundshme, që do të merret me secilin dyshim të konsumatorit”, ka deklaruar Buzhala.

Ndërkohë, Maliqi thotë se janë gjashtë anëtarë, dy prej tyre fëmijë dhe se faturat mujore i vijnë deri në 65 euro në muaj, megjithëse i posedon vetëm gjërat e zakonshme të amvisërisë. Ndërsa, fqinjët e tij thotë të mos paguajnë më shumë se 35 euro në muaj me të njëjtat pajisje.

“Unë isha në KEDS, ua tregova rastin, më thanë ‘bëne një ankesë’. I thashë o zotni, unë po e bëj po çka, kush me i pagua këto? ‘Ne do ta shqyrtojmë’. Thashë qysh është e mundshme, t’i s’po më jep përgjigje, kurrfarë përgjigje nuk më dha, s’folke hiç, ‘veç bëne një ankesë’. E bëra ankesën, e lashë, s’po di ku me u ankua”.

Ai kërkon nga institucionet e vendit t’i kontrollojnë këta njehsorë digjitalë, pasi sipas tij, nuk është e mundshme që shpenzimi të jetë i njëjtë, nëse për më shumë se dy javë nuk i ka përdorur asnjë nga pajisjet shtëpiake.