Arbëri

Pushteti e opozita me vlerësime të kundërta për projektet në Fushë-Kosovë

Vlerësime të kundërta kanë dhënë zyrtarët komunalë të Fushë-Kosovës dhe ata të opozitës në këtë komunë për projektet e realizuara në disa fusha në këtë komunë gjatë këtij mandati qeverisës. Përderisa pushteti e ka numëruar sasinë e projekteve të realizuara, opozita ka folur për cilësinë dhe dështimet.

Drejtori për Planifikim Urban, Abdullah Prebreza, ka thënë se gjatë viteve 2018-2021 në Fushë-Kosovë janë asfaltuar 66 kilometra rrugë në qytet dhe në fshatrat e kësaj komune, ndërsa sivjet pritet që të asfaltohen edhe 28 km.

“Gjatë këtyre viteve janë punuar gjithsej 9 km rrjet të kanalizimeve në lokalitete të Fushë-Kosovës (qytet dhe fshatra). Në vitin 2021 janë në proceduara të prokurimit edhe 5.2 km rrjet i kanalizimit”, ka thënë Prebreza.

Por, shefi i Grupit të këshilltarëve të VV-së në këtë komunë, Durim Hajra, ka thënë se në shumicën e rasteve asfalti shkatërrohet brenda një viti.

“Për rrugët të cilat asfaltohen në Komunën e Fushë-Kosovës çdo vit shpenzohen qindra mijëra euro, mirëpo këto asfaltime janë të cilësisë së dobët dhe në shumicën e rasteve këto rrugë shkatërrohen brenda vitit. Komuna jonë karakterizohet me asfaltime edhe në prona private, gjë që është në kundërshtim me ligjin”, ka thënë ai.

Sipas Hajrës, në Fushë-Kosovë ende ka fshatra dhe lagje që nuk kanë rrjet të kanalizimit.

“Në pjesën e qytetit rrjeti i kanalizimit është i vjetër dhe nuk e përballon ndërtimin e madh që është bërë në 10 vitet e fundit, mirëpo këtu ndikon edhe mungesa e rrjetit të kanalizimit për reshjet atmosferike”.

Ndërkohë, drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Jakup Dumani, ka thënë se për tre vjet i kanë ndërtuar 2 qendra të mjekësisë familjare (njëra te “Kompleksi 300” në qytet dhe tjetra në Miradi të Epërme), që të dyja funksionale.

“Ndërsa janë duke u ndërtuar edhe dy QMF tjera, një në fshatin Bardh i Madh e cila është afër përfundimit dhe një në fshati Sllatinë e Madhe. Këto dy QMF ende nuk janë lëshuar në funksionë janë në ndërtim e sipër”, ka theksuar Jakup Dumani.

Sipas tij, për këtë periudhë kanë blerë edhe pajisje për QKMF-në në Fushë-Kosovë. Ai ka folur edhe për ndërtime të shtëpive dhe renovim për familjet me kushte të rënda.

“Nga viti 2018 deri në vitin 2020 janë ndërtuar 45 shtëpi. Me buxhet komunal janë ndërtuar 24, ndërsa në bashkëfinancim me OJQ ‘Qatar’ janë ndërtuar 20 shtëpi. Nga 2 mijë euro për secilën shtëpi ka participuar komuna. Kurse në 2019 është ndërtuar edhe 1 shtëpi nga ‘Petrol Company’. Në vitin 2018 Grupi G-6 i deputetëve nga komuniteti RAE të Kuvendit të Kosovës përmes Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ka filluar ndërtimin e 32 shtëpive për këto komunitete, por ende nuk kanë përfunduar dhe procedurat e ndërtimit janë zhvilluar nga MPMS”, është shprehur drejtori Dumani.

Sipas tij, në këtë vit janë në proces të ndërtimit 13 shtëpi në bashkëfinancim me OJQ “Ndihmo edhe Ti”.

Por, Durim Hajra nga Vetëvendosje, thotë se Komuna ka rinovuar shtëpi edhe për persona që nuk janë fare raste sociale.

“Për ndërtimin dhe renovimin e shtëpive për raste sociale ndahen çdo vit me dhjetra mijëra euro dhe në parim jemi që të ndihmohen familjet në nevojë e sidomos për çështjen e banimit. Mirëpo në komunën tonë transparenca në këto investime është pothuajse zero. Ne kemi dyshime se në disa raste mjetet e destinuara për renovime u ndahen personave që nuk kanë nevojë. Ne kemi kërkuar që të ketë transparencë, mirëpo deri më tani ne si asamblist nuk e kemi një listë se kush janë përfituesit nga këto mjete”, ka thënë ai.

Durim Hajra vlerëson se një ndër problemet kryesore në Fushë-Kosovë vazhdon të mbeten sektori i shëndetësisë.

“Edhe pse një sektor i ndieshëm dhe që kërkon shumë investime si në staf ashtu edhe në pajisje, investimet në këtë sektor janë të vogla dhe shpeshherë investime që nuk kanë rezultat. Ne kemi vërejtjen se qeverisja aktuale nuk po investon në blerjen e pajisjeve, mirëpo edhe ato pak investime në pajisje që janë bërë ne kemi dhënë vërejtjen se po paguhen me çmime më të larta dhe se nuk janë cilësore”, është shprehur shefi i GK të VV-së. “Qeverisja komunale në Fushë- Kosovë ka ndërtuar objekte të QKF-ve në fshatra që asnjëherë nuk janë funksionalizuar e që të njëjtat janë shkatërruar pothuajse plotësisht, duke dëmtuar kështu buxhetin komunal”, ka thënë ai.