Pagesa avans në kundërshtim me ligjin, tejkalim të pozicioneve të peshuara dhe parregullsi në pagesa, urdhërblerje pas skadimit të kontratave, janë disa nga vërejtjet që i ka dhënë Auditori në raportin e tij vjetor për Komunën e Obiliqit
Komunarët e Obiliqit janë treguar dorëlirë me paratë publike. Ata kanë shkelur ligjet në fuqi duke paguar mjete avans për disa kontrata më shumë sesa që është e lejuar. Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e saj për pasqyrat vjetore 2020 për këtë komunë, ka thënë se në bazë të Ligjit të Prokurimit Publik në muajin nëntor pagesa e paradhënies është e kufizuar deri në dhjetë për qind (10%) të vlerës së kontratës dhe në muajin dhjetor deri në pesë për qind (5%) të vlerës së kontratës. Ndërkohë që zyrtarët komunalë i kanë tejkaluar këto pagesa.
“Te kontrata ‘Ndërtimi i sheshit Adem Preniqi’ me vlerë prej 989,026€ ishte bërë pagesa në avancë në muajin nëntor 15% e vlerës së kontratës, apo 148,353€, ndërsa ishte dashur të bëhet 10% e vlerës së kontratës apo 98,902€. Po ashtu edhe te kontrata ‘Koogjenerimi për ngrohjen e qytetit ne Obiliq’ me vlerë të kontratës 917,917€ pagesa e avancit ishte bërë në muajin dhjetor 15% e vlerës së kontratës apo vlera prej 137,687€, ndërsa ishte dashur të bëhet 5% e vlerës së kontratës apo 45,895€. Shkaku i ndodhjes se kësaj situate ishte realizimi i pagesave në mënyrë që Komuna të ketë një performancë më të mirë tek realizimi i buxhetit dhe mjetet mos të shkojnë në suficit”, thuhet në raportin e ZKA-së.
E njëjta ka gjetur tejkalim të pozicioneve të peshuara të kontratave dhe parregullsi në pagesa. Siç thuhet në raport, te kontrata kornizë “Hartimi i projekteve detaje” me vlerë 275,210€ e lidhur në vitin 2019 sipas çmimeve për njësi në bazë të peshimit të artikujve, ku për pozicionin (h) punimi i elaborateve për nevojat të autoritetit kontraktues i është dhënë pesha 20% këtij pozicioni dhe sipas kësaj shuma që lejohet për t’u shpenzuar për këtë pozicion është 55,042€. Në tri mostra (pagesa) në vlerë 149,999€ Auditori ka vërejtur se për këtë pozicion janë paguar 125,229€, që i bie se ka pasur tejkalim të pozicionit.
“Kontrata kornizë tri-vjeçare e lidhur më 21.05.2020 për ‘Mirëmbajtja e parqeve, hapësirave të gjelbëruara dhe shesheve’, në vlerë të parashikuar prej 210,000€, ishte kontraktuar bazuar në çmimin për njësi apo duke përcaktuar rëndësinë dhe peshën (%) e dhënë për secilën kategori/pozicion. Sipas LPP, kontratat me çmime për njësi aplikohen vetëm në rastet kur AK nuk dinë sasitë indikative, derisa për këtë kontratë Komuna kishte informacione për sasinë indikative siç edhe janë dhënë në përshkrimin teknik në aneksin 1 të dosjes së tenderit”, thuhet tutje në raport. “Specifikacioni teknik ishte ndarë në pesë kategori kryesore, të peshuar sipas rëndësisë me 20% secili prej tyre. Për 10 muajt e parë të realizimit të kontratës (nga qershori 2020 deri në mars 2021) janë kryer pagesa në total prej 134,953€. Vetëm nga kategoria e parë që ishte peshuar 20% janë paguar 114,217€, apo 85% e total pagesave për këtë kontratë (114,217/134,953=85%), duke e humbur raportin ndërmjet sasisë së realizuar dhe peshës së dhënë”.
Sipas Auditorit, në tri situacione të punimeve ka gjetur se pozicioni “1.1 – Mbledhja e mbeturinave etj, 1.2 - Fshirja dhe larja e kubëzave gjatë verës dhe pastrimi i borës etj.”, përveçqë ishin përfshirë në kategorinë 1 – Mirëmbajtja e Parqeve, ishin përfshirë edhe në kategorinë 3 – Kositja e Barit, dhe vlera e mbivlerësuar dhe e paguar në total ishte 12,737€.
“Menaxheri i kontratës nuk ka ofruar ndonjë sqarim pse është përsëritur i njëjti pozicion. Përveç kësaj, në situacione të punëve ishin përfshirë edhe hapësira tjera (rrugë, parqe) që nuk ishin planifikuar me kontratë, dhe sasia e tyre ishte e konsiderueshme dhe me ndikim thelbësor në sasinë dhe vlerën e parashikuar të kontratës. Si rezultat i kësaj, për 10 muajt e parë, ishte realizuar 65% e vlerës totale të parashikuar në kontratë (134,953/210,000=65%). Kjo kishte ndodhur për shkak të planifikimit të dobët të nevojave nga njësia kërkuese dhe mungesës së kontrolleve adekuate në menaxhimin e kontratave dhe certifikimit të pagesave”.
Zyrtarët komunalë të Obiliqit kanë bërë edhe urdhër-blerje pas skadimit të kontratave në kundërshtim me nenin 12 të Rregullës Financiare 01-2013-për Shpenzimin e parasë publike.
“Për kontratën e nënshkruar me dt. 20.11.2020 ‘Furnizim me teste serologjike për SARS COV-2’ në vlerë 131,727€, urdhër-blerja ishte përgatitur (08.12.2020) dhe nënshkruar pas skadimit të kontratës, si dhe pas pranimit të furnizimeve. Liferimi i mallrave (i paraparë me nënshkrimin e kontratës në afat prej 10 ditëve) gjithashtu ishte bërë me vonesë dhe për këtë nuk ishin aplikuar as penalet që parashihen në kontratë prej 0.25% në ditë të vlerës së furnizimeve të padorëzuara”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit. “Për kontratën e nënshkruar me dt.22.04.2020 ‘Furnizim me Sera’ në vlerë 36,700€, urdhër-blerja është përgatitur (16.07.2020) dhe nënshkruar 45 ditë pas skadimit të kontratës (kohëzgjatja e kontratës 40 ditë nga data kur është hyrë në fuqi kjo kontratë apo kur është nënshkruar), apo pas pranimit të punimeve (13.07.2020)”.
Nga shqyrtimi i mostrave të përzgjedhura për auditim, ZKA ka gjetur se në 10 raste zotimi i mjeteve në SIMFK dhe përgatitja e urdhër-blerjeve ishte bërë pas pranimit të faturës apo pranimit të mallrave apo shërbimeve. Sipas të njëjtës, kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së kontrollit dhe mbikëqyrjes si në përgatitjen e urdhër-blerjeve nga zyrtari i prokurimit ashtu edhe në menaxhimin e buxhetit dhe zotimit të mjeteve me kohë në SIMFK.
Auditori ka gjetur edhe parregullsi në planifikimin dhe zhvillimin e procedurave të prokurimit. Komuna e Obiliqit gjatë vitit 2020 kishte blerë softuer financiar në vlerë 8,900€ që nuk ishte planifikuar me planin vjetor të prokurimit dhe as nuk ishte njoftuar AQP për këtë procedurë të prokurimit.
“Kontrata për ‘Furnizim me pajisje për institucionet shkollore’, në vlerë 33,436€ nuk ishte përfshirë në planin vjetor të prokurimit si aktivitet dhe as nuk ishte njoftuar AQP. Po ashtu si kriter ishte kërkuar që OE duhet të kenë një saldues të certifikuar, ndërsa fituesi kishte sjellë dëshmi/certifikatë të lëshuar nga një vend i huaj, e që ishte e panostrifikuar nga institucionet e vendit tonë”, thuhet tutje në raport. “Te kontrata publike kornizë për ‘Furnizim me material mjekësor (ampullar, laboratorik, stomatologjik, radiologjik dhe gjinekologjik)’ në vlerë 169,380€, me përshkrim të çmimeve apo paramasë, për produktin Dexamethasone 4mg amp im/iv, ishin planifikuar për furnizim 200 copë, ndërsa deri në fund të vitit 2020 sipas evidencës se menaxherit të kontratës ishin furnizuar 4,100 copë, duke e tejkaluar limitin e lejuar prej 30%. Shkak i kësaj situatë ishte mungesa e kontrolleve të brendshme dhe planifikime jo adekuate nga njësitë kërkuese”.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur edhe ndarje jo të duhur të detyrave dhe parregullsi në menaxhimin e kontratave në Komunën e Obiliqit. Siç thuhet në raport, te kontrata publike kornizë për “Eliminimin/pastrimin e deponimeve ilegale në territorin e Komunës së Obiliqit”, në vlerë indikative prej 17,093€, për punët e realizuara nuk ishte mbajtur libri ndërtimor, ndërsa në ditarët e punës nuk janë dhënë informata të mjaftueshme për sasinë e punës së kryer dhe informacione tjera relevante. Përveç nënshkrimit fillestar të Planit të Menaxhimit të Kontratës, sipas Auditorit, e njëjta nuk ishte azhurnuar tutje me informatat tjera plotësuese rreth realizimit dhe përmbylljes së kontratës.
“Mosazhurnim të PMK-së janë hasur edhe në katër raste tjera, ndërsa për një kontratë nuk ishte përgatitur fare PMK. Te procedura e prokurimit për ‘Mirëmbajtjen e Objekteve Komunale’ me vlerë indikative prej 94,412€, kryesuese e komisionit për vlerësimin e ofertave për këtë procedurë të prokurimit ishte caktuar zyrtarja që kishte përgatitur specifikat, para masën dhe para llogarinë”.
Sipas ZKA-së, te kontrata për “Furnizim me material mjekësor (ampullar, laboratorik, stomatologjik, radiologjik dhe gjinekologjik)” me vlerë indikative prej 169,380€ menaxher i kontratës ishte caktuar zyrtari i depos, që në këtë rast përfshihet në më shumë se një fazë të procesit, atë të porosisë, menaxhimit të kontratës dhe pranimit të mallrave.
“Kontrata për ‘Ndihmë me pako ushqimore për familjet në gjendje të rëndë’ në vlerë 59,976€, ishte përcjellë me mangësi. Me kontratë në përshkrim të çmimeve ishte specifikuar që produktet të jenë në kilogram, copë dhe litra. Dy produkte të pranuara nuk ishin në peshën e kërkuar me specifikacion. Ishin kërkuar 2,400kg oriz, ndërsa janë pranuar 2,400 qese me peshë 800g apo 480kg më pak, gjithashtu ishin kërkuar 1,200kg fasule ndërsa ishin pranuar 1,200 qese me nga 600g apo 480kg më pak”, thuhet tutje në raport. “Kontrata e nënshkruar me dt. 03.04.2020 për ‘Dezinfektim, deratizim dhe dezinsektim të objekteve në Obiliq’, në vlerë 25,000€, ishte planifikuar të realizohej në tre faza dhe afati i kontratës ishte caktuar vetëm 30 ditë. Shërbimet e dezinfektimit ishin realizuar në katër faza, ku dy fazat e fundit ishin realizuar pas skadimit të kontratës. Menaxheri i kontratës kishte bërë kërkesë për vazhdim të afatit në fazën e fundit të dezinfektimit, apo tre javë pas skadimit të kontratës. Kjo situatë ishte si shkak i mosfunksionimit të kontrolleve dhe menaxhimit të dobët të projekteve apo kontratave të nënshkruara”.
Auditori ka vërejtur edhe mungesë të projekteve ekzekutive me rastin e lëshimit të dosjes së tenderit. Sipas të njëjtit, në nenin 28, pika 10 të Ligjit nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik, përcakton se “Për përgatitjen e specifikimeve teknike për kontratat për punë”, autoriteti kontraktues është përgjegjës për hartimin e projektit dhe nuk i lejohet që të lëshojë dokumentacionin e tenderit pa bashkangjitur përshkrimin e hollësishëm të projektit. ZKA ka gjetur se Komuna kishte nënshkruar nëntë kontrata për punë, në mungesë të projekteve ekzekutive.