Arbëri

Bekim Jashari synon mandatin e dytë në krye të Skenderajt

Bekim Jashari ka konfirmuar të shtunën se do të synojë edhe mandatin e dytë në krye të Komunës së Skënderajt, duke iu futur garës për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Jashari në një postim në Facebook ka komentuar punën e tij në mandatin e parë, duke theksuar se vendimi që t’i futej garës katër vjet më parë ka qenë vendim “jo i lehtë për mua dhe familjen time”.

Ai ka thënë se në punën e tij si kryetar për katër vjet është arritur të bëhet uji i pijshëm në 12 fshatra, teksa ka deklaruar se janë bërë investime edhe në institucione shëndetësore. Ka potencuar edhe përkrahjen për gratë lehona me nga 100 euro për secilën lindje. Sipas Jasharit, nga ardhja e tij në krye të Skenderajt është rritur buxheti për bujqësi e janë asfaltuar 100 kilometra rrugë. Ka thënë se po ndërtohen trotuare e po bëhet ndriçimi publik, po ndërtohet rrjeti i kanalizimit e janë ndërtuar shkolla, salla e poligone sportive.

“Të dashur qytetarë, nën betimin për të vazhduar qeverisjen time transparente dhe me duar të pastra, për të vazhduar me projekte të tilla edhe më madhore, për të arritur zhvillim ekonomik, mirëqenie, punësim të të rinjve, infrastrukturë moderne, furnizim të rregullt me ujë të pijshëm, trajtim të ujërave të zeza, mbrojtje të mjedisit e planifikim të duhur hapësinor, kam vendosur që: Të kërkoj nga ju edhe një mandat qeverisës si kryetar i Skenderajt, me vendosmërinë më të madhe për t’iu shërbyer edhe për 4 vitet e ardhshme. Ditët në vijim do të takohemi në ceremoninë zyrtare në të cilën do të shpalosim vizionin tonë për Skenderajn në katër vitet e ardhshme”, ka thënë ai në njoftimin e tij.