Këshilltarët komunalë të PDK-së në Podujevë janë shprehur kundër shtyrjes së afatit për zbatimin e Rregullores për menaxhimin e mbeturinave. Megjithëse është miratuar në vitin 2019, kjo Rregullore që parasheh edhe kushtëzime për qytetarët që nuk i paguajnë këto fatura, nuk ka filluar së zbatuari deri tash. Pas shtyrjes së dy afateve tjera, në majin e vitit të kaluar ishte vendosur që fillimi i zbatimit të saj të nisë më 1 qershor 2021.
Por, në mbledhjen e fundit të Kuvendit komunal kjo është shtyrë edhe për një vit. Në mungesë të drejtorit për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, arsyeshmërinë e ka shpalosur drejtori për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani. Ai ka thënë se për shkak të përgatitjes për disa çështje, propozojnë që të shtyhet fillimi i zbatimit të kësaj Rregulloreje. Njëra nga arsyet, sipas tij, është mungesa e një souftueri për menaxhim e pagesave nga Komuna.
“Çështja tjetër është se duhet të ketë një staf të pranuar dhe të trajnuar për këtë çështje. E që nuk ka mundësi të pranohet për shkak se janë të bllokuara procedurat e rekrutimit të stafit të ri. Edhe arsye tjetër është se shumë komuna që kanë filluar zbatimin e kësaj rregulloreje i kanë faturuar për tërë vitin edhe diasporën e dihet që ata maksimumi në Kosovë jetojnë 2 muaj ditë. Prandaj duhet një evidentim në terren se cilat shtëpi janë rezidenciale gjatë tërë viti dhe cilat nuk janë gjatë tërë vitit. Për këtë arsye është propozim që kjo rregullore të hyjë në fuqi nga data 1 korrik 2022”, ka theksuar Fatlum Osmani.
LDK e LVV e kanë përkrah shtyrjen e afatit të zbatimit të kësaj Rregulloreje pas arsyetimeve që janë dhënë nga drejtori Osmani, por jo edhe PDK.
“Drejtori vetëm një arsye e ka, që nuk e ka krye punën e vet. Rekrutimi i stafit me procedurë mund të zgjat më së shumti 30 ditë-konkursi. Në 100 mijë banorë nja 1000 i ke programera që shesin projekte deri në Amerikë. Drejtori ka thanë nuk ka mjete, e askush prej ekzekutivit nuk e di sa kushton ai souftuer. Për me thanë nuk ka mjete, ai souftuer duhet me kushtua afër 1 milion euro. Drejtori e di a ka mjete a jo. Edhe ai zyrtari i prokurimit që e keni shpallë kriminel e si ndërmjetësues të tenderëve, shumë shpejt ua gjen zgjidhjen”, është shprehur Rafet Llapashtica.
Ndërkohë, kryesuesi Fatmir Gashi ia ka tërheq vërejtjen për gjuhën që ka përdorur kur e ka quajtur kriminel (Rasim Fejzën). Por, Llapashtica ka thënë se vetëm po i citon zyrtarët e VV-së se si i janë referuar Fejzës.
“Tash kush e merr përgjegjësinë për mbeturina. Ne kemi bë rregullore që pagesa me u bë në komunë. Dhe nëse qytetari ankohet se nuk po ia merr bërllokun, Komuna nuk ia jep paret kompanisë. Të thuash se nuk ka mjete, ndërkohë që nuk ka kërkuar nga ne në Kuvend që t’ia miratojmë mjetet, kjo është hajgare”, ka theksuar Rafet Llapshtica.
Shtyrja e afatit të zbatimit të Rregullores për menaxhimin e mbeturinave deri më 1 korrik 2022 është miratuar me shumicë votash.
KOHA ka raportuar edhe para një muaji se zyrtarët komunalë nuk do të fillonin zbatimin e kësaj Rregulloreje më 1 qershor 2021. Në këtë Rregullore parashihet që zyrtarët komunalë të mos lëshojnë asnjë dokument (përjashto ato të gjendjes civile) për ata që nuk i paguajnë faturat e mbeturinave dhe po ashtu që pagesa të bëhet në komunë e jo kompanive siç është tash. Në nenin 6 ku flet për të drejtat dhe detyrat e gjeneruesve të mbeturinave, thuhet se çdo gjenerues i mbeturinave është i obliguar të përfshihet në sistemin e menaxhimit të mbeturinave, ka të drejtë ankese për shërbimin e ofruar, duhet të respektojë rregullat dhe orarin e shkarkimit të shportave dhe kontejnerëve të përcaktuar sipas planit lokal të menaxhimit të mbeturinave, të bëjë përpjekje për zvogëlimin e sasisë së mbeturinave përmes kompostimit shtëpiak dhe formave tjera të lejueshme, të paraqes ndryshimin e të dhënave (si p.sh. shitja e pronës, trashëgimia, dëshmitë dhe dokumentet tjera të përditësuara). Aty janë të saktësuar edhe shumë çështje tjera për qytetarët dhe kompanitë e mbeturinave.