Arbëri

Fushë-Kosova ua mundëson ndërtuesve pagesën në këste të taksës për leje ndërtimore

Ndërtuesit në Komunën e Fushë-Kosovës do të mund të paguajnë në disa këste taksën administrative për leje ndërtimore.

Kjo është mundësuar nga këshilltarët komunalë, të cilët e kanë votuar propozimin e Drejtorisë për Planifikim Urban të kësaj komune. Këstet e pagesës do të ndahen në përqindje të ndryshme varësisht prej shumës që detyrohet ndërtuesi.

Ky propozim, sipas zyrtarëve komunalë, është bërë pas kërkesës së investitorëve dhe gjendjes së rënduar ekonomike për shkak të pandemisë COVID-19.

“Bazuar në kërkesën e qytetarëve-investitorëve, gjendjen e rënduar ekonomike shkaktuar nga pandemia COVID-19, pëlqimin nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nr. 020-210/3 të datës 19.03.2021 për caktimin e taksës administrative për leje të ndërtimit, leje rrënimi dhe tarifës rregullative për rritjen e densitetit në infrastrukturë për vitin 2021, drejtori i Drejtorisë për Planifikim Urban propozon ndarjen në këste të pagesës së taksës administrative dhe tarifës për ndikimin e densitetit në infrastrukturë”, thuhet në propozimin e kësaj drejtorie drejtuar Kuvendit Komunal.

Sipas të njëjtit, (1.1.) pagesa e taksës administrative dhe tarifës për ndikimin e densitetit në infrastrukturë e cila tejkalon shumën prej 50,000 eurove mund të bëhet në tri këste: në këstin e parë pagesa prej 40 për qind, në këstin e dytë pagesa prej 30 për qind dhe në këstin e tretë pagesa prej 30 për qind. Ndërsa (1.2.) afati për përmbushjen e obligimit të përcaktuar sipas paragrafit 1.1 do të jetë 12 muaj.

“1.4. Pagesa e taksës administrative dhe tarifës për ndikimin e densitetit në infrastrukturë, e cila e tejkalon shumën prej 150,000 euro, mund të bëhet në katër këste të përcaktuara si më poshtë:

Kësti i parë pagesa prej 30 për qind, kësti i dytë pagesa prej 25 për qind, kësti i tretë pagesa prej 25 për qind dhe kësti i katërt pagesa prej 20 për qind; 1.5. Afati për përmbushjen e obligimit të përcaktuar sipas paragrafit 1.4 do të jetë 18 muaj. 1.6. Fillimi i afatit prej 18 muajve sipas paragrafit 1.5 do të trajtohet nga dita e marrjes në dorëzim të lejes së ndërtimit”, thuhet tutje në këtë vendim. “1.7. Rrjedhja e afatit për pagesën e taksës sipas këtij neni të kësaj rregulloreje fillon ditën e parë pas marrjes në dorëzim të vendimit për llogaritjen e taksës përkatëse dhe nuk mund të jetë më i gjatë se 5 ditë pas marrjes së aktvendimit për taksa”.

Kësti i parë sipas paragrafit 1.1 dhe 1.4 do të paguhet brenda afatit të paraparë sipas paragrafit 1.7., ndërsa bashkë me pagesën e këstit të parë aplikuesi i lejes së ndërtimit është i obliguar që organit kompetent t’ia prezantojë garancinë financiare me të cilën sigurohen pagesat e kësteve të mbetura për pagesë sipas afateve të përshkruara në paragrafët 1.1 dhe 1.4.

“1.9. Vendimi për leje të ndërtimit nuk mund të jepet në dorëzim pa provën mbi pagesën e kompensimit të llogaritur e të arritur për pagesë dhe të garancisë financiare. 1.10. Nëse pagesa e kompensimit të llogaritur nuk bëhet brenda afatit të paraparë sipas paragrafit 1.7. do të pasojë refuzimi i kërkesës për dhënien e lejes së ndërtimit”, thuhet ndër të tjera në këtë vendim.

Ky vendim është përkrahur nga partitë politike në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal të Fushë-Kosovës. Por këshilltari i PD-së, Ali Ismaili, ka kërkuar të dijë nëse afati i pagesës prej 12 e 18 muajsh do të ketë ndikim në realizimin e të hyrave komunale për shkak të përfundimit të vitit fiskal. Ndërsa këshilltari i IQ-së, Naser Grajçevci, ka kërkuar që të hiqet garancia financiare.

Në anën tjetër, nënkryetari i Komunës, Fadil Krasniqi, ka thënë se kjo do të ketë ndikim në realizimin e të hyrave pasi, sipas tij, nëse ndërtuesve u mundësohet të paguajnë më vonë, atëherë edhe të hyrat do t’i marrin më vonë.

Ndërsa, për garancinë financiare ka thënë se do ta shqyrtojnë më vonë nëse mund ta heqin. Ky propozim-vendim është miratuar me shumicë votash.