Arbëri

Podujeva i korrigjon vendimet për ngastrat kadastrale ku parashihet zona industriale

Kuvendarët e Podujevës e kanë bërë plotësim-ndryshimin e dy vendimeve të vitit 2010 me të cilat parashihej caktimi i zonës industriale në fshatin Livadicë.

Këto vendime (Propozim-vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për caktimin e Zonës Industriale në fshatin Livadicë dhe ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për përcaktimin në interes publik të një pjese të tokave të ish-Ndërmarrjeve Shoqërore në territorin e Komunës së Podujevës), sipas drejtoreshës për Pronë, Kadastër dhe Gjeodezi, Bahrije Mehmeti, kanë përmbajtur edhe gabime.

“Arsyeja pse po kërkojmë të bëhen këto ndryshime dhe plotësime është se janë duke u zhvilluar procedurat në Ministrinë e Pushtetit Lokal në mënyrë që të bëhet bartja përfundimtare e këtyre pronave në pronë komunale në bazë të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka thënë ndër të tjera Bahrije Mehmeti në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal.

Mbështetje i kanë dhënë këshilltarët e partisë së saj, LVV-së. Shefi i Grupit, Florent Hasani, ka kërkuar që sa më shpejt të bëhet korrigjimi i gabimit në lidhje me ngastrën kadatrsale, në mënyrë që të hapet rruga për caktimin e zonës industriale në fshatin Livadicë

.

“Zonë kjo e cila strategjikisht është më e përshtatshmja për funksionimin sa më efikas të një zone me interes për zhvillim ekonomik të komunës e posaçërisht të bizneseve me qëllim funksionimin më të favorshëm për ushtrimin e veprimtarive. Po ashtu e mbështesim plotësimin dhe ndryshimin e vendimit që një pjesë e tokave të ish-ndërmarrjes shoqërore t’i kalojë në pronësi komunës”, ka thënë ai.

Por, dilema rreth implementimit të këtyre vendimeve ka ngritur shefi i Grupit të këshilltarëve të LDK-së, Hasan Ajeti.

“Ajo që ka interes prej meje të di është rreth pronave ku diskutohet që bëhen për bartje të pronave shoqërore. Nëse nuk gaboj në kohën kur kryeministër ka qenë Ramush Haradinaj, është marrë një vendim që pronat shoqërore të barten në kompetencë të pushteteve lokale. Mirëpo unë sa kam njohuri ai vendim është pezulluar nga ish-presidenti i asaj kohe. Nëse nuk është kështu, ma sqaro të lutem”, është shprehur Hasan Ajeti. “Edhe a jeni të saktë dhe të argumentueshëm që këto propozim-vendime janë në harmoni dhe nesër nuk na qesin ndonjë telashe. Sepse ne këtu askush nuk jemi kundër projekteve që kanë interes kapital për komunën. Por gjithnjë duke besuar që aktet që prodhohen të jenë në harmoni. Në rast se e merr dhe e lexon qartë, në kohën e ish-kryeministrit Haradinaj është pezulluar ky vendim. E në qoftë se tash ai ka ndryshua, ti na e sill një dëshmi që e ka shfuqizua aktin e ish-kryeministrit”.

Ai ka kërkuar të di nëse ka ndonjë kontest pronësor në këtë zonë.

Por, drejtoresha për Pronës, Kadastër dhe Gjeodezi ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka konsideruar se kjo çështje nuk është kompetencë e saj.

“Dhe para dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj është hequr pezullimi dhe ne i kemi tri shkresa zyrtare...Parcelë 22 nuk ka në zonën industriale, por është parcela 222 dhe të gjithë ju mundeni me pa se a është gabim që ka ndodh gjatë shtypjes a çka? Edhe te parcela 166, është 266, ndërsa sipërfaqja është e njëjtë edhe në vendim edhe në certifikatën e pronësisë që është pronë e kooperativës bujqësore”, ka thënë ajo. “Edhe ish-kryetari Agim Veliu ka bërë disa herë shkresa në ministritë përkatëse. Arsyeja është për shkak të 20 përqindëshit që nuk e kanë marrë askush përsipër me krye. Dhe sa i përket tash vendimit të qeverisë së re në lidhje me vendimin se a është në fuqi a jo, nuk ka ndonjë argument. Mirëpo edhe me ligjin për dhënien në shfrytëzim, komunat kanë të drejtë me bë kërkesë për bartje të pronës. Sa i përket kontesteve pronësore ne kemi bërë kërkesë në AKP nëse janë të gjitha këto prona të lira, mirëpo ende nuk kemi marrë përgjigje”.

Ndërsa, këshilltari i PDK-së, Rafet Llapashtica, ka kërkuar që të sqarohen të gjitha çështjet në mënyrë që të mbetet sikur Palestra spotive që për shkak të kontesteve pronësore nuk është ndërtuar.

“Këtu as drejtoresha nuk e di me cilin vendim ka me veprua. Këtu duhet me thirr ish-drejtorin Abaz Llugaliu me na tregua se ku është ngastra 22. Aty krejt ngastrat janë gabim e krejt nuk munden me qenë gabim teknik. Mundet me ba gabim një ngastrat e jo të gjitha. Ne në parim e mbështesim që me u kthye prona shoqërore në pronë komunale, por duhet të dimë në cilin vendim është. A është vendimi i ish-kryeministrit Mustafa apo vendimi i ish-kryeministrit Hardinaj. Nëse është në fuqi vendimi i ish-kryeministrit Haradinaj ti hidhe në votim unë votoj pro për ktihimin e kësaj pronë në pronë komunale dhe me fillua procedurat për çështjen”, ka theksuar Llapashtica.

Ndërkohë, këshilltari i LVV-së, Ragip Fetahu, ka thënë se këtu është në gabim që është bërë nga procedurat e mëhershme.

“Çka bën ish-kryeministri Mustafa e çka ish-kryeministri Haradniaj kjo është punë e nivelit qendror, nuk na takon neve. Ne këtu duhet t’i bëjë korrigjimet që i ka bërë ish-qeverisja e kaluar”.

Këshilltarët e LDK-së kanë insistuar të dinë nëse ka pretendues si pronarë të atyre pronave?

Për këtë u është përgjigjur drejtori për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik, Pajtim Balaj.

“E kam një pyetje për këshilltarët e Grupit të LDK-së. Të gjithë ju e keni votuar buxhetin e vitit të kaluar, a keni qenë të vetëdijshëm, a e keni lexua që në atë buxhet ka qenë i panifikuar një fond prej 30 mijë euro për funksionalizim të zonës industriale? A i keni ditur të gjitha këto dilema që i keni pas edhe atëherë? A e keni ditur se do të ketë konteste edhe atëherë? Përndryshe është e pakuptimtë që nëse keni planifikuar buxhet në vitin e kaluar e sot jeni kundër kësaj zone me gjithë arsyet që po përpiqeni t’i bëni”, është shprehur drejtori Balaj.

Debati është zhvendosur ndërmjet këshilltarit Hasan Ajeti e drejtorit Pajtim Balaj.

“Drejtoresha e tha vet se edhe kryetar kur ka qenë Agim Veliu e ka ba një shkresë që e ka pa interes të komunës. Edhe drejtoresha tha që e ka dërgua një shkresë ku nuk ka marrë përgjigje prej AKP-së. Mos tento me i dhanë karakter politik për shkak të fushatës. Është legjitime more burrë me ditë, e ke pru, a i ke letrat, kaq? Në qoftë se ke një dokument harroje se mundesh me vendos ose me impelmentua diçka”.

E Balaj ka thënës e ato letra është dashtë t’ia kërkojë drejtorit të LDK-së para se të miratohej buxheti për këtë vit.

“Atë pyetje që po ia bën drejtoreshës, pse nuk ia ke ba drejtorit tënd? Pse nuk ia ke ba pyetje ‘a i kie letrat’ pasi e ka planifikua këtë buxhet? Keni planifikua buxhet, pse nuk ke pyetur atëherë i keni letrat në rregull?”

Ndërkohë, Rafet Llapshtica ka thënë se PDK e përkrah kthimin e pronës shoqërore në pronë komunale dhe ndërtimin e zonës ekonomike, por sipas tij, mbetet në përgjegjësinë e drejtorisë për sqarim procedural.

Këto dy vendime janë miratuar me shumicë votash.