Arbëri

PDK akuzon qeverisjen në Fushë-Kosovë se emëroi pa konkurs zv.drejtoreshën e një shkolle

Partia opozitare në Fushë-Kosovë, PDK e ka akuzuar qeverisjen komunale të Fushë-Kosovës se e ka emëruar pa konkurs zëvendësdrejtoreshën, Shehide Fejzën në shkollën fillore “Selman Riza”.

Në komunikatën e kësaj partie thuhet se e njëjta ishte emëruar në këtë pozitë para katër muajve me urdhër të kryetarit të Komunës, Burim Berisha.

“Komuna e Fushë-Kosovës e ka shkelur ligjin kur e ka emëruar zëvendësdrejtoreshë në shkollën ‘Selman Riza’, Shehide Fejzën. Ajo ishte zgjedhur para katër muajsh në këtë pozitë pa konkurs dhe me urdhër të kryetarit Burim Berisha, ku po tentohet që përmes kësaj pozite të bëhet drejtoreshë në vend të Remzije Bogujevcit. Ajo është vlerësuar se nuk plotëson kriteret për asnjërën nga pozitat, ashtu siç kërkohet me konkurs”, thuhet në komunikatën e Degës së PDK-së në Fushë-Kosovë. “Pas daljes në pension të zëvendësdrejtorit të kësaj shkolle, Sahit Dragusha, Shehide Fejza ishte imponuar që të vinte në vend të tij. Disa muaj pas emërimit të saj, u shpall konkursi për zëvendësdrejtor të SHFMU ‘Selman Riza’, i cili është anuluar më datë 20.05.2021.

Dega e PDK-së në Fushë-Kosovë, vazhdimisht ka ngre shqetësim në lidhje me mënyrën se si bëhet përzgjedhja e drejtorëve të shkollave, ku kriter i vetëm mbetet preferenca partiake si dhe nepotizmi, e assesi kriteri profesional”.

Në komunikatën e kësaj partie thuhet se për shkak të politizimit të këtij sektori ka rënë edhe cilësia në arsim.

“Si pasojë, arsimi në Fushë-Kosovë mbetet tejet i politizuar dhe i degraduar, ka rënie të cilësisë së arsimit dhe të sigurisë në shkolla. Përgjegjësia kryesore për këtë situatë bie mbi kryetarin e komunës dhe drejtorët e korruptuar, të cilët edhe arsimin e përdorin për llogari të LDK-së dhe interesave të tyre politike”.

KOHA ka kërkuar përgjigje nga zyrtarët komunalë që nga dita e martë, por deri në kohën e raportimit, të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje. Ndërkohë, KOHA nuk ka arritur të vë kontakt me të apostrofuarën Shehide Fejzën.

Në anën tjetër, sipas PDK-së ish-drejtori i Arsimit, Islam Shabani dhe u.d. së drejtorit, Adnan Bullatovci janë shkarkuar për shkak se kishin refuzuar të nënshkruajnë kontratën për Shehide Fejzën. Por, këtë e ka mohuar Islam Shabani.

“Ju njoftoj se unë nuk kam dhënë dorëheqje për këtë arsye, arsyet janë tjera dhe ato jua kam dhënë edhe juve para dy muajve. Prandaj, të gjitha konspiracionet që thuhen nga PDK në Fushë-Kosovë nuk qëndrojnë, sepse unë kam dhënë dorëheqje të parevokueshme nga Drejtoria e Arsimit në Fushë-Kosovë”, ka thënë Islam Shabani.

Para dy muajve ai ka thënë se kishte dhënë dorëheqje për shkak të mosmarrëveshjeve me kryetarin e Komunës, Burim Berisha, rreth menaxhimit të këtij sektori.

Ndërkohë, Adnan Bullatovci nuk është përgjigjur rreth deklarimit të Degës së PDK-së në Fushë-Kosovë.