Arbëri

Radhë të gjata në Pejë gjatë vaksinimit

Rinisja e vaksinimit kundër Covid-19 në Qendrën e Vaksinimit edhe në Pejë ka shkaktuar tollovi.

Qytetarët mbi moshën 65 vjeçe kanë treguar interesim të madh për vaksinim.

“Kisha rekomanduar gjithë qytetarët që të mos i vërsulen Qendrës së Vaksinimit, por vetëm ata që janë të kontaktuar, të thirrur dhe që e kanë terminin e caktuar prej qendrës së thirrjeve. Momentalisht i kemi caktuar për sot, nesër e pasnesër përafërsisht nga 100 persona, sa është kapaciteti i qendrës sonë”, ka deklaruar Dukagjin Sahatqiu, shef i Qendrës së Vaksinimit në Pejë.

Sahatqiu tha se aktualisht janë afër 2 mijë persona në lista të pritjes që janë regjistruar javët e kaluara, pa llogaritur të regjistruarit të hënën, dhe prej tyre dy ditët e fundit rreth 300 janë thirrur për vaksinim.

Për shkak të kapacitetit të limituar në Qendrën e Vaksinimit, brenda kësaj jave Qendra e Mjekësisë Familjare në lagjen Taphane do të shndërrohet në Qendër të Vaksinimit.

“Domethënë katër mjekë dhe komplet infermierët edhe katër ekipe të vaksinimit do të zhvendosen atje dhe do të punojnë komplet atje nga 12 orë në dy ndërresa”, ka shtuar Sahatqiu.

Në këtë qendër thonë se janë të përgatitur për vaksinim.

“Qendra është e gatshme për vaksinim. Vetëm po presim tash kur të vijnë nga Qendra kryesore e Mjekësisë Familjare me bë triazhimin, me bë rregullimin dhe me ja fillua punës”, është shprehur Kimete Derrvishaj, shefe e njësisë në QMF-2 në lagjen Taphane.

Nga fillimi i vaksinimit më 2 prill e deri të hënën, në Komunën e Pejës janë vaksinuar 2 mijë 250 persona, në mesin e tyre staf mjekësor, të moshuar, persona me nevoja të veçanta dhe persona me sëmundje kronike.