Kosovë

Eksploatimi ilegal i zhavorrit dëmton pendën e fshatit Kliqinë

 

“Neve fermerëve dëmtimi i pendës do të na shkaktojë probleme të mëdha. Këtë vit ne kemi me pasë probleme me ujitje të tokave. Kanë me qenë dëmet shumë të mëdha, sepse rendimentet do të jenë shumë të vogla, kur t’i kapë thatësia në muajin korrik dhe gusht, në pamundësi të ujitjes”, ka thënë fermeri Sali Abazi. Banorët e fshatit Jabllanicë presin prej drejtuesve të Komunës së Pejës, por edhe nga Ministria e Bujqësisë, që të intervenojnë në sanimin e dëmit në pendë, në mënyrë që verës të mund t’i ujitin tokat

Eksploatimi ilegal i zhavorrit buzë Lumbardhit të Pejës ka shkaktuar dëmtimin e pendës së ndërtuar para pesë vjetëve në fshatin Kliqinë. Penda që shërben për ujitjen e tokave të fshatit Jabllanicë e Leshanit ka kushtuar mbi 150 mijë euro dhe është ndërtuar me financim të Ministrisë së Bujqësisë dhe të Komunës së Pejës. Prej vitit 2016, kur është lëshuar në funksion penda, fermerët e fshatit Jabllanicë i kanë ujitur tokat e tyre për pesë vera pa probleme. Tash ata druajnë se tokat e tyre do të mbesin pa ujitje. Fermerët tregojnë se shkaktar i dëmtimit të pendës është eksploatimi ilegal i zhavorrit që ka ndodhur buzë shtratit të lumit, diku rreth 400 metra mbi pendë. Për pasojë, sipas fermerit Sali Abazi, ka ardhur deri te rritja e nivelit të ujit pas reshjeve të mëdha dhe devijimi i ujit. Ky devijim, sqaron ai, ka gërryer tokën në pjesën anësore të pendës deri në themelet e saj.

“Muri nuk ka mundur më t’i përballojë peshës së vet dhe është çarë pastaj në dy vende. Tash uji kalon ndër atë mur dhe jo mbi pendë”, thotë Abazi.