Arbëri

PRAK-u e sheh si problematike ndalimin e dhënies së infuzioneve në KPSH-në e Prizrenit

Përfaqësuesit e Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë (PRAK) po e shohin si problematike ndalimin e dhënies së infuzioneve për pacientët në Kujdesin Parësor Shëndetësor. Sipas tyre një gjë e tillë godet financiarisht sidomos pacientët me COVID-19. Në anën tjetër menaxhmenti i shëndetësisë primare në Prizren ka bërë të ditur se terapia infuzive është obligim i institucioneve shëndetësore sekondare e atij terciar dhe se kapacitetet në Kujdesin Parësor Shëndetësor janë të pamjaftueshme, veçmas në rrethanat aktuale.

Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë ka pohuar se në Kujdesin Parësor Shëndetësor në Prizren është ndalur dhënia e infuzioneve, gjë që sipas tij ka krijuar probleme për pacientët.

“Pacienti ose duhet të shkojë të shtrihet në spital, ose duhet të paguajë para nga xhepi i vet për ta marrë një infuzion. Për dallim prej rasteve të zakonshme, infuzioni për pacientët me COVID-19 kushton më shtrenjtë”, ka thënë Kodra.

Sipas tij, organet përkatëse do të duhej që ta mendonin një zgjidhje për këtë çështje, me qëllim që t’i dalin në ndihmë pacientëve, sidomos në situatën aktuale.

“Prizreni ka mundur ta rregullojë këtë, përderisa bën analiza të tumormarkerëve ose analiza që nuk janë fare të Kujdesit Parësor, shumë më mirë do të ishte ta kthente fokusin në ndihmën e pacientëve me COVID me dhënien e infuzioneve”, ka deklaruar ai, duke pohuar se në komunat tjera ofrohet një shërbim i tillë.

“Prizreni e ka ndaluar, me një arsyetim se kjo nuk është kompetencë e Kujdesit Parësor. Por është ndaluar në momentin më të keq të mundshëm. Kjo ka goditur qytetarët më së shumti. Më të nevojshme e shoh dhënien e infuzioneve për pacientët me COVID sesa me bë tumormarkerë, që janë kompetencë e Spitalit”, është shprehur Kodra.

Ndërsa, drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren, Xhevat Elezkurtaj, ka theksuar se dhënia e terapisë infuzive është obligim apo detyrë e shërbimit sekondar dhe terciar.

“E dyta, për shkak të grumbullimeve dhe numrit të madh të pacientëve, kapacitetet janë të pamjaftueshme për me të nis ta kryejmë këtë, derisa edhe grumbullimet sidomos nga përcjellësit na kanë diktuar që me ndërpre këtë procedurë”, ka thënë Elezkurtaj.

Sipas tij, edhe kapacitetet e KPSH-së janë të kufizuara për të ofruar këtë shërbim, që ka kohëzgjatje të caktuar, derisa kërkesat janë të shumta.

“Që t’i evitojmë grumbullimet, dhe për t’i zbatuar rekomandimet e IKSHPK-së, i kemi ndaluar këto shërbime”, ka deklaruar Elezkurtaj, teksa ka shtuar se ofrimi i analizave të tumormarkerëve e shërbimeve tjera ka të bëj me politikat shëndetësore të KPSH-së për krijimin e lehtësimeve për qytetarët.

Komuna e Prizrenit, kohë më parë ka njoftuar se është e vetmja që ofron pakon e shërbimeve për COVID-19, ku përfshihen testet rapide, testet serologjike, testet e D-Dimer dhe analizat e tjera të nevojshme.

Në anën tjetër, kërkesa e anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Prizrenit e shprehur në disa seanca, për t’i përkrahur financiarisht qytetarët që janë përballur me sëmundjen COVID-19 ende nuk ka marrë një epilog. Megjithëkëtë, kuvendarët e Prizrenit qenë pajtuar që përmes një rekomandimi të kërkojnë nga Ekzekutivi komunal përgatitjen e propozim-vendimit në lidhje me këtë çështje, në mënyrë që pastaj të thirret një seancë e jashtëzakonshme e KK-së për shqyrtimin dhe miratimin e tij.