Komuna e Skenderajt sot ka ekzekutuar pagesat e para për fëmijët e sapolindur, për 70 aplikimet e bëra nga data 04.01.2021 deri më 25.03.2021, në shumën prej 100 euro për secilën lindje.
Lajmin e ka konfirmuar kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, në një postim në Facebook.
“Sot kemi ekzekutuar pagesat e para të subvencionit për fëmijët e porsalindur për 70 aplikimet që janë bërë nga data 04.01.2021 e deri më 25.03.2021, në shumën prej 100 euro për secilën lindje. Aplikimi për të marrë këtë subvencion po vazhdon për çdo ditë pune, andaj i ftoj të gjithë prindërit që të kryejnë aplikimin në mënyrë që të marrin sa më shpejt subvencionin. Të dashur qytetarë, jam i vetëdijshëm që përkrahja për familjen dhe fëmijën në veçanti duhet të jetë shumë më e madhe, por që buxheti i limituar i komunës sonë nuk mundëson aktualisht përkrahje më të madhe, kurse vitet në vijim do të rrisim vlerën e këtij subvencioni. Krahas kësaj shteti ynë duhet të fillojë sa më shpejt dhënien e shtesave për fëmijët, në mënyrë që të ndikojmë kështu në rritjen e natalitetit në shtetin tonë dhe krijimin e kushteve më të favorshme për rritjen e fëmijëve. Uroj që të kemi sa më shumë lindje”, ka shkruar Jashari në Facebook.