Arbëri

Rregullorja për orarin e punës së bizneseve përplasë opozitën e ekzekutivin në Podujevë

Debat të gjatë ka shkaktuar propozimi për plotësimin dhe ndryshimin e Rregullores për orarin e punës së bizneseve që operojnë në Komunën e Podujevës. Diskutimi ndërmjet këshilltarëve komunalë dhe anëtarëve të ekzekutivit kanë nisur që në fillim të seancës të së mërkurës kur është folur për rendin e ditës. Drejtori për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik (PZHE), Pajtim Balaj, ka kërkuar që kjo pikë të hiqet nga rendi i ditës, pasi sipas tij, ata e kanë planifikuar ta rishikojnë vetëm pjesërisht, ndërsa Komiteti për Politikë dhe Financa kishte kërkuar që Rregullorja në fjalë të rishikohet në tërësi.

Edhe shefi i Grupit të VV-së, Florent Hasani, ka thënë se janë që kjo pikë e rendit të ditës të shtyhet për një seancë tjetër.

Ndërsa, këshilltarja e LDK-së, Fatlume Jaha, ka thënë se pas propozimit të saj në KFP, edhe kryetari i Komunës, edhe grupet tjera janë pajtuar që Rregullorja të rishikohet në tërësi dhe pastaj të vije në Kuvend për miratim.

Por, Rafet Llapashtica nga PDK, ka thënë se të martën në KPF janë pajtuar që të shkojë në debat publik.

“Unë mendoj që vetëm dy pika të ndryshohen, që e diela të jetë ditë pune dhe te orari i punës të mos ketë diskriminim që dikush të punojë deri në 20 e dikush 23. Tash vetë drejtori po del kundër propozimit të vet. Ne jemi të vazhdojë që rregullorja të dal në dëgjim publik”.

Por, drejtori Balaj, ka thënë se Zyra ligjore u ka thënë se nëse miratohet të mërkurën, atëherë dëgjimit publik i nënshtrohen vetëm propozimndryshimet e Drejtorisë dhe jo siç kanë kërkuar opozita plotësim-ndryshim i tërësishëm.

Ndërkohë, kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se propozuesi i një pike të rendit të ditës e ka të drejtën ta tërheq atë.

“Nuk shoh arsye me shty më shumë këtë çështje. Nuk është në rregull me diskutua për këtë çështje. Ne e kemi sjell, ne e tërheqim, nuk mundesh me na imponua mendimin. Nëse ti mendon që duhet të shkohet kështu, atëherë e hedhim në votim”, ka thënë ai.

Përplasjet kanë vazhduar edhe më tutje ndërmjet këshilltarëve të opozitës e partisë në pushtetit, deri kur është hedhur në votim, ku me shumicë votash është vendosur që kjo pikë të mos hiqet nga rendi i ditës.

Diskutimet kanë vazhduar kur i ka ardhur radha kësaj pike. Drejtori, Pajtim Balaj, ka thënë se propozimi për plotësim-ndryshim të kësaj rregulloreje përfshin disa pika që kanë ardhur nga tregtarët, bizneset dhe punëtorët.

“Rregullorja nuk përfshin rekomandimet e Komitetit për Politikë dhe Financa, por ashtu siç është përgatitur nga Drejtoria. Ai i ka treguar edhe ndryshimet që pritet të përfshihen në këtë rregullore.

Këshilltarja nga radhët e LDK-së, Fatlume Jaha, ka thënë se pas pandemisë është domosdoshmëri që të plotësohet dhe ndryshohet kjo rregullore.

“Ne mendojmë se kjo duhet të shkojë si tërësi të plotësohet dhe ndryshohet. Unë këtë e kam ngritur edhe kur drejtor ka qenë dikush tjetër. Ne nuk guxojmë që të bëjmë të njëjtin gabim edhe njëherë. Ta hedhim në plotësim ndryshim si të tërë dhe të marrim rekomandimet nga dora e parë dhe pastaj të plotësohet”, ka theksuar Jaha.

Edhe këshilltari i PDK-së, Rafet Llapashtica, ka thënë se kjo rregullore duhet të ndryshohet. Ky kuvend ka kalua rregullua qysh ka dashtë vetë.

Diskutim i gjatë nuk ka përfunduar këtu. Secili i ka mbajtur qëndrimet e veta, edhe pse drejtori Balaj ka thënë se sipas Zyrës ligjore, proceduralisht nuk mund të rishqyrtohet kjo Rregullore në tërësi, nëse miratohet vënia në diskutim publik sot. Ndryshim qëndrimi kanë pasur këshilltarët e PDK-së, të cilët kanë thënë se për ta nxjerr drejtorin nga kjo situatë, nuk do ta votojnë vënien në diskutim publik të kësaj rregulloreje.

Megjithatë, kur është hedh në votim, ata kanë abstenuar, kundrejt 13 votave pro, 12 kundër. Me këtë rast, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Fatmir Gashi, ka thënë se është miratuar vënia në diskutim publik të kësaj rregulloreje bashkë me rekomandimet e Komitetit për Politikë dhe Financa.