Arbëri

Komuna e Podujevës ushtron padi ndaj MEA-së për ndërtimin e hidrocentralit në lumin Kaçandolli

Descriptive Text

Komuna e Podujevës e ka kundërshtuar ndërtimin e hidrocentralit në lumin Kaçandolli, derisa është njoftuar se është ushtruar padi ndaj Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit.

Në debatin e sotëm me përfaqësues të Kompanisë “Hidrocom” sh.p.k., përfaqësues të komunitetit, grupeve të interesit, anëtarë të ekzekutivit të Komunës së Podujevës, kryetari Shpejtim Bulliqi ka thënë se kompania “Hidrocom” sh.p.k., duke shpërfillur plotësisht vendimet e Komunës, e cila dy herë ka refuzuar ta pajisë këtë kompani me leje mjedisore, ka marrë pëlqim nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit (MEA) për realizimin e projektit për ndërtimin e hidrocentralit, në rrjedhën e lumit Kaçandolli, në territorin e Komunës së Podujevës.

“Kompania në mënyrë të njëanshme, duke bashkëpunuar vetëm me Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit (MEA) dhe pa lejen e Komunës së Podujevës, për të cilën është refuzuar dy herë, ka filluar procedurat e realizimit të projektit. Prandaj edhe na ka detyruar neve si Komunë të ushtrojmë padi për ta kundërshtuar formën arbitrare të dhënies së këtij pëlqimi mjedisor nga MEA”, ka thënë Bulliqi.

Ai ka shtuar se edhe forma e organizmit të këtij dëgjimi publik, krejt formale dhe pa bashkëpunim me banorët e këtyre fshatrave, është tregues i qartë i përpjekjes për fillim të heshtur të realizimit të këtij projekti, i cili dëmton ambientin-pasurinë natyrore të këtyre fshatrave.

“Ne do të vazhdojmë ta kundërshtojmë këtë projekt, për të cilin kemi edhe përkrahjen e banorëve të kësaj pjese. Orientimi ynë është që për këto zona të ofrojmë investime që përmirësojnë infrastrukturën dhe nxisin investime në zhvillimin dhe promovimin e turizmit dhe asesi nuk lejojmë projekte që shkaktojnë degradim mjedisor”, ka shtuar ai.

Edhe përfaqësuesi i fshatit Popovë, Muhamet Murati, në emër të banorëve të fshatrave përgjatë lumit Kaçanoll, tha se në asnjë rast nuk është konsultuar komuniteti dhe shprehu kundërshtimin e tyre për realizmin e këtij projekti, i cili bie ndesh edhe me Strategjinë lokale për zhvillim të Turizimit, strategji për të cilën kanë kontribuar këta banorë.

Ndërsa përfaqësuesi i kompanisë, “Hidrocom” sh.p.k., Adnan Elshani, tha se kompania në fjalë sipas legjislacionit në fuqi ka organizuar këtë debat. Ai tha pëlqimi mjedisor është marrë sipas kritereve të ministrisë.