Arbëri

11 mësimdhënës dhe 9 nxënës të infektuar me COVID-19 në shkollat e Mitrovicës

Gjendja e përgjithshme me pandeminw nëpër shkollat e komunës së Mitrovicës aktualisht vlerwsohet stabile.

Që nga fillimi i vitit të ri shkollor në Mitrovicë me Covid-19 janë infektuar 11 mësimdhënës dhe 9 nxënës, ndërsa aktualisht në këtë komunë nga gjithsej 32 shkolla, 30 janë duke zhvilluar mësimin sipas skenarit A.

Ismet Ferizi, drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Mitrovicë, ka bërë të ditur për KosovaPress, se Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përgatitur tre skenarë të ndryshëm për fillimin e vitit të ri shkollor në kohë pandemie, skenari A që nënkupton mësimin fizik në shkolla, skenari B mësimin e kombinuar, dhe skenari C mësimin online nga platforma të ndryshme.

Sipas tij, institucionet përgjegjëse komunale kanë arritur t’i dalin ballë jashtëzakonisht mirë kësaj situate, pavarësisht rrethanave të krijuara.

“Shumica e shkollave që gjithsej janë 32, nuk e kanë ndërprerë punën asnjëherë me skenarin A…Deri tash i kemi të regjistruar vetëm 9 nxënës të infektuar me koronavirus, kurse numri i mësimdhënësve të infektuar ka qenë 11, mbase ky numër lëvizë nga dita në ditë, por aktualisht është ky numër, që konsideroj se nuk është edhe aq shqetësuese. Aktualisht gjendja është stabile dhe nuk kemi ç’rregullime të mëdha të procesit mësimor. Mund të them se I kemi dalë përballë shumë mirë kësaj situate krahasuar me rrethanat që kanë qenë. Fati ka dashur, por edhe organizimi ynë e ka bërë të veten që kjo punë të menaxhohet në formë të mirë”, ka thënë Ferizi./KSP