Arbëri

Rruga e Rugovës u dëmtua rëndë gjatë dimrit, banorët ndihen të pasigurt

Dëmtime të rënda ka pësuar gjatë dimrit rruga e Rugovës.

Në tërë gjatësinë e saj, nga Peja e deri në Kuqishtë, ajo përshkohet nga gropat, derisa asfalti është plasaritur tërësisht. Problem të madh për sigurinë paraqesin edhe rrëshqitjet e gurëve dhe dheut.

Gjendja e kësaj rruge po përkeqësohet nga viti në vit. E asfaltuar në vitin 2004, në të më nuk është investuar, me përjashtim të mirëmbajtjes.

Të vazhdueshme kanë qenë ankesat e banorëve të kësaj treve. Për ta, prioritet përherë ka qenë rindërtimi dhe zgjerimi i kësaj rruge.

Për nevojën e rindërtimit të rrugës së Rugovës, në të cilën numri i vizitorëve po shumëfishohet për çdo vit, Komuna e Pejës, siç thotë nënkryetari Fatmir Asllani, i është drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës, e cila është kompetente për të.

“Shpresojmë që këtë vit do të gjejë Ministria mundësi që ta bëjë zgjerimin e saj,

sepse kjo është jetike për zonën e Rugovës”, ka thënë Fatmir Asllani, nënkryetari i Komunës së Pejës.

KOHA ka kontaktuar drejtorin e Departamentit për Menaxhimin e Rrugëve në Ministrinë e Infrastrukturës, Malë Lokaj.

Lokaj e sheh të nevojshëm një investim kapital milionësh, pasi, sipas tij, ajo rrugë nuk mund të përmirësohet veç me mirëmbajtje.

“Aty duhet të ndërhyhet krejt në infrastrukturë. Me mure, me lëshesa, me çka të jetë e nevojshme. Por, duhet investim kapital. Se është një gjatësi, është konfiguracioni i tillë, është ashtu”, ka deklaruar Malë Lokaj, drejtor i Departamentit të Menaxhimit të Rrugëve në MI.

Se a ekziston në planet e saj për sivjet rindërtimi i kësaj rruge, KOHA i është drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës, por nuk ka marrë përgjigje deri në momentin e raportimit.