Arbëri

QKMF-ja në Podujevë nis ofrimin e shërbimeve në shtëpi

Descriptive Text

Institucioni kryesor shëndetësor në Podujevë (QKMF) nga sot ka filluar shërbimin palitativ, që nënkupton ofrimin e shërbimeve në shtëpi për personat që janë të palëvizshëm.

Ndërkohë, shërbimi i laboratorit dhe rëntgenit do të punojnë 24 orë, të cilët deri tash nuk kanë ofruar shërbime as gjithëditore.

Në një njoftimin e Zyrës për informim të Komunës së Podujevës, thuhet se kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, që nga marrja e mandatit në krye të komunës, një nga prioritetet kryesore të qeverisjes është përmirësimi dhe avancimi i shërbimeve mjekësore për qytetarët e komunës.

“Me ofrimin e shërbimit paliativ ofrojmë vizitën mjekësore dhe aplikimin e terapisë nga ana e doktorit të mjekësisë dhe infermieres në shtëpitë e të sëmurëve, të cilët janë të palëvizshëm. Gjithashtu me shërbimin gjatë 24 orëve të rëntgenit dhe laboratorit, qytetarët nuk do të kenë nevojë të shkojnë nëpër laboratorë privatë, por edhe në QKUK në Prishtinë, për të marrë këto shërbime”, ka thënë Shpejtim Bulliqi, thuhet në komunikatë.

Ai ka premtuar se Komuna e Podujevës do të vazhdojë me investime në sektorin e shëndetësisë, në mënyrë që qytetarët tanë të marrin shërbime mjekësore cilësore dhe të shpejta.