Zyrtarë të Komunës së Obiliqit kanë ndarë bursa për fëmijë, kanë dhënë subvencione e grante për familjarë dhe kanë zgjedhur drejtoreshë shkolle një të afërme të kryetarit të Komunës. Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë ftuar organet që t’i hetojnë komunarët të cilët i çuan mjetet publike në shtëpitë e veta. Ndërkohë, komunarët e Obiliqit nuk konsiderojnë se kanë bërë shkelje ligjore kur kanë ndarë mjete edhe për familjarët e tyre
Drejtori për Arsim e ai për Bujqësi në Komunën e Obiliqit nuk i kanë çuar shumë larg bursat për studentë e subvencionet në bujqësi. Të dy janë kujdesur që me bursa e subvencione t’i “rehatojnë” edhe familjarët e tyre. Njëri i ka dhënë bursë djalit, e tjetri u ka dhënë subvencione vëllezërve, resë, nipit e kushërinjve. Megjithatë, asnjëri nuk e ka konsideruar këtë si konflikt interesi. E, ndryshe nga ta mendojnë në Qendrën e Lëvizjes Vetëvendosje në Obiliq. Sekretari organizativ, Berat Gashi, thotë se komunarët e kanë shkelur ligjin kur u kanë dhënë bursa e subvencione familjarëve të tyre.
“Konflikti i interesit është gjendja e mospajtimit ndërmjet detyrës publike dhe interesit privat të një zyrtari, kur gjatë ushtrimit të funksionit të tij zyrtari ka interes privat pasuror ose personal jopasuror. Është e specifikuar mirë në Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, në nenin 3, pika 1.2 dhe 1.6. Por, si duket kjo nuk i bën përshtypje Komunës së Obiliqit”, ka thënë Berat Gashi. “Komuna jonë pothuajse në çdo gjë që bën bie ndesh me ligjet në fuqi. I tillë është edhe rasti fundit i ndarjes së bursave dhe kompensimeve të udhëtimit, ku drejtori i Drejtorisë për Arsim shpërbleu djalin e tij me bursë”.
Këtë nuk e ka mohuar drejtori për Arsim në Komunën e Obiliqit, Rexhep Zeka. Nëpërmjet përgjigjeve me shkrim, Zeka ka thënë se Komuna e Obiliqit ka ndarë gjithsej 142 bursa, ku prej tyre 132 për nivelin bachelor, 8 për nivelin master dhe për 2 nivelin e doktoratës.
“Bursa për nxënës për dy shkolla të mesme me sukses të shkëlqyeshëm, janë gjithsej 71 bursa.
Për kategorinë e shpenzimeve të udhëtimit janë gjithsej 673 nxënës. Për fëmijët me nevoja të veçanta përfitues janë të gjithë aplikuesit, që gjithsej janë 19 nxënës për kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit”, është shprehur Rexhep Zeka.
Drejtori për Arsim thotë se bursat janë ndarë në bazë të rregullores për ndarjen e bursave Nr.-I-104 datës 31.08.2020, neni 18. Kur është pyetur për djalin e tij, Zeka ka thënë se përfitues të bursës janë të gjithë nxënësit me sukses të shkëlqyeshëm.
“Meqenëse numri përfitues i bursës përcaktohet nga vetë suksesi i nxënësve, kjo nënkupton që asnjë aplikues me sukses të shkëlqyeshëm nuk ka mbetur jashtë listës që i plotëson kushtet në bazë të rregullores, neni 18. Përderisa nuk është shkelur rregullorja në fuqi, ne konsiderojmë se nuk ka asnjë konflikt interesi. Pavarësisht fëmija i kujt mund të jetë, në rast se i plotëson të gjitha kriteret e përcaktuara nga rregullorja e cila është e aprovuar nga Kuvendi Komunal i Obiliqit, konsideroj se do bëhej diskriminim ndaj fëmijëve”, ka theksuar ai.
Subvencionet në shtëpi
Por, ky nuk është rasti i vetëm kur drejtorët komunalë ndajnë mjete nga buxheti publik për familjarët e tyre. Drejtori për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Bejtullah Mjekiqi, i ka shpërblyer me subvencione renë, vëllezërit e kushërinjtë. Në një reagim të Lëvizjes Vetëvendosje thuhet se të subvencionuarit nuk kanë as pemishte e as bletë, në emër të të cilave janë dhënë këto subvencione.
“Në emër të këtyre subvencioneve, z.Bejtullah Mjekiqi, drejtor i kësaj drejtorie, ka qenë shumë dorëlirë për nusen e djalit të tij Nora Preniqi - Mjekiqi, e cila pa qenë pronare as e pemishteve, as kultivuese e bletëve, ka përfituar subvencion në vlerë prej 987 eurosh, derisa vëllait të tij, Jakupit, ia ka ndarë subvencionin hiç më pak se 1.500 euro, duke vazhduar me vëllain tjetër, Ejupin, të cilit i ka ndarë po ashtu subvencion në vlerë prej 224 eurosh”, thuhet në reagimin e VV-së në Obiliq. “Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Komunën e Kastriotit, Bjetullah Mjekiqi, nuk ka harruar që subvencion të ndajë edhe për nipin e tij Flamur Mjeku, në vlerë prej 322 eurosh, ndërsa dorëlirë ishte edhe me kushërinjtë e tij, më saktë me djalin e axhës, Shaban Mjekun, të cilit i ka ndarë subvencion në vlerë prej 300 eurosh, si dhe me kushëririn tjetër Milaim Mjekun, të cilit ia ka ndarë po ashtu një subvencion prej 400 eurosh, pa poseduar as pemishte, as bletari!”
Por, sipas zyrtarëve të Vetëvendosjes, fermerët e fshatit Graboc i Epërm nuk janë përfitues të këtyre subvencioneve.
“Lëvizja Vetëvendosje në Kastriot u bën thirrje Agjencisë Kundër Korrupsionit, Policisë së Kosovës, gjegjësisht Krimeve Ekonomike, si dhe Prokurorisë së Shtetit që këtë rast ta trajtojnë me seriozitet, në mënyrë që ky dhe persona të njëjtë, si drejtori në fjalë, të mos e shfrytëzojnë pozitën zyrtare për ta keqpërdorur buxhetin komunal”, thuhet në reagim.
Por, as drejtori Bejtullah Mjekiqi nuk e konsideron konflikt interesi dhënien e subvencioneve për familjarë. Ai ka thënë se Komuna e Obiliqit ka ndarë subvencione për fermerët si rezultat i dëmeve që janë shkaktuar nga pandemia COVID-19. Sipas tij, përfitues janë gjithsej 143 veta dhe shuma e mjeteve është 66.580.00€. Nëpërmjet përgjigjeve me shkrim, Mjekiqi thotë se kriteret për dhënien e këtyre subvencioneve kanë qenë ‘të jenë fermerë të Komunës së Obiliqit dhe të ushtrojnë/kultivojnë veprimtarinë bujqësore sipas kategorive të caktuara të cilat janë shpallur për aplikim’.
“Fillimisht, të gjithë aplikuesit, konkretisht përfituesit e këtyre subvencioneve të ndara si rezultat i dëmeve që ka shkaktuar pandemia në sektorin e bujqësisë, ushtrojnë veprimtari bujqësore dhe janë përfitues pa dallim etnie apo perkatësie politike. Kësisoj, znj.Nora Preniqi-Mjekiqi, me numër biznesi 810139693, ka 141 koshere bletë, z.Ejup Mjekiqi, bletar, ka 32 koshere bletë, z.Flamur Mjeku, bletar, ka 46 koshere bletë, z.Shaban Mjeku, bletar, ka 20 koshere blete, z.Jakup Mjeku, me numër biznesi 70054859, posedon serrë për prodhimin e fidanëve (perimeve), z.Milaim Mjeku, përfitues në kategorinë e qumështit dhe djathit, i cili merret me këtë veprimtari, shet qumësht me shishe dhe djathë me kova në treg”, është shprehur Bejtullah Mjekiqi.
Kur është pyetur nëse e konsideron konflikt interesi shpërblimin e familjarëve me subvencione, Mjekiqi ka thënë se Komuna ka ndarë subvencione për sektorët që janë dëmtuar nga pandemia.
“Duke pasur parasysh që të gjithë aplikuesit janë përfitues, Komuna e Obiliqit, përmes këtij subvencionimi, konsideron se ka përkrahur pjesën e konsiderueshme të sektorit të bujqësisë, si dhe vlerësimi i aplikueseve është bërë bazë kritereve të përcaktuara për të qenë përfitues, si rrjedhojë e kësaj nuk ka asnjë shkelje apo konflikt interesi. Komuna e Obiliqit ka në fokus rimëkëmbjen e secilit sektor, andaj përkrahja në bujqësi nuk do të mungojë edhe gjatë fazave të ardhshme”, ka thënë ai.
Privilegjet e kryetarit për të afërmit e tij
Ndërkohë, sipas sekretarit organizativ të Lëvizjes Vetëvendosje në Obiliq, Berat Gashi, familjarët e komunarëve kanë përfituar edhe në ndarjen e mjeteve për gratë.
“Rasti tjetër ku Komuna jonë bie ndesh me ligjin ishte dhe rasti i ndarjes së mjeteve për gratë në biznes, ku u shpërblye biznesi i cili është në lidhje familjare me kryetarin e Komunës dhe kryesuesin e KK-së. Këto janë vetëm disa nga rastet më të shpërfaqura se në këto lista ka dhe parregullsi dhe shkelje të tjera. Mos të harrojmë se në shkollën kryesore në qytetin e Obiliqit, në Gjimnazin ‘17 Shkurti’, për drejtoreshë është zgjedhur vajza e axhës së kryetarit të Komunës”, ka thënë Gashi.
Në anën tjetër, zyrtarja për marrëdhënie me publikun në Zyrën e Kryetarit të Obiliqit, Arba Mirena, ka thënë se në kuadër të grant-skemës “Subvencionimi i nënave vetushqyese dhe grave në biznes”, përfituese kanë qenë 38 gra.
“Gjithashtu, gratë në biznese janë përfituese edhe në skemat e tjera që ndërlidhen me përkrahjen e bizneseve. Kjo grant-skemë është ndarë në dy lote: Loti 1–Start-up; (biznese te reja) dhe Loti 2–Ndërmarrjet mikro dhe të vogla ekzistuese (qarkullimi i vitit paraprak deri në 2,000.00 € të dëshmuara nga ATK)”, ka thënë Mirena në përgjigjet me shkrim. Kur është pyetur për konfliktin e interesit, Mirena ka thënë se Komisioni për vlerësimin e aplikueseve ka bërë përzgjedhjen e tyre duke u bazuar në kriteret dhe kushtet për përfitimin e kësaj grant-skeme.
“Andaj, konsiderojmë se akuzat e vazhdueshme të VV-së janë tërësisht politike dhe po bëhen me qëllime të caktuara. Por, e vërteta është që Komuna e Obiliqit në vazhdimësi, por në theks të veçantë në periudhën e pandemisë, siç tashmë edhe dihet, ka shkaktuar dëme në secilin sektor, ka përkrahur sektorin e biznesit, ku përveç lirimit nga tatimi i Komunës, për bizneset është ndarë edhe subvencioni përmes pakos së rimëkëmbjes në vlerë prej 130 mijë euro”, ka thënë zyrtarja për marrëdhënie me publikun në Zyrën e Kryetarit të Komunës së Obiliqit.
Ndërsa, për drejtoreshën e Gjimnazit “17 Shkurti”, që është familjare e Xhafer Gashit, Arba Mirena ka thënë se është zgjedhur në bazë të konkursit të shpallur dhe duke i respektuar të gjitha normat ligjore në bazë të Udhëzimit administrativ nr 15/2019 për procedurat dhe kriteret për zgjedhjen e drejtorit të shkollës, si dhe shtojca e po këtij udhëzimi administrativ. “Duke u bazuar në udhëzimin në fjalë, vërtetohet se procesi i rekrutimit është realizuar në mënyrë të rregullt dhe pa asnjë ndikim”, ka thënë ajo.