Kosovë

Pas shtatë vjetëve komuna vendos ta stolisë qytetin për festat e fundvitit

Pas shtatë vjetëve komuna vendos ta stolisë qytetin për festat e fundvitit
 

Më në fund, qeverisja aktuale e Komunës së Pejës ka planifikuar të dekorojë sivjet qytetin për festat e fundvitit. Kjo është hera e dytë që nga viti 2013 që komuna ndanë mjete për t’i dhënë hijeshi së paku sheshit të qytetit për këto festa. Për këtë projekt komuna ka planifikuar të shpenzojë 30 mijë euro, sa është vlera e parashikuar e kontratës në tenderin e shpallur para tri ditë.

Sipas menaxherit të Zyrës komunale të Prokurimit, Xhemë Berisha, kjo shumë është planifikuar vetëm për festat e këtij fundviti. Projekti është dërguar për tenderim nga Drejtoria e Shërbimeve Publike. Drejtoresha e kësaj drejtorie, Xhevahire Çeku-Kelmendi, tregoi se me këtë projekt planifikohet stolisja e pjesës qendrore të sheshit të qytetit dhe rrugës së korzos deri të “ura e zallit”. Mirëpo, ky projekt ka nis procedurat e tenderimit këtë javë dhe sipas drejtoreshës tenderi është shpallur pak vonë dhe në rast se tenderi do të ketë zvarritje në procedurat e tij deri në kontraktim të operatorit, nuk përjashtohet edhe mundësia që sheshi të mbetet edhe sivjet pa stolis.