Arbëri

Komunitetet joshumicë të Prizrenit po përballen me sfida të ndryshme

Pjesëtarët e komuniteteve joshumicë që jetojnë në Komunën e Prizrenit kanë theksuar se po përballen me sfida të ndryshme në përditshmërinë e tyre, të cilat përkundër premtimeve të dhëna nga zyrtarët komunalë ende nuk po zgjidhen. Në debatin publik me temën “Gjendja e përgjithshme e komuniteteve joshumicë në Komunën e Prizrenit dhe bashkëpunimi”, të organizuar të mërkurën nga Komuna e Prizrenit, pjesëtarët e këtyre komuniteteve kanë shpalosur një mori shqetësimesh, duke filluar nga shkeljet sa i përket përdorimit të gjuhëve të tyre, telasheve në infrastrukturë, e deri tek mospërfshirja në planifikimin e projekteve që kanë të bëjnë me lokalitetet e tyre.

Në këtë debat, kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, ka vlerësuar se prania e komuniteteve është vlerë për Prizrenin.

në Komunën e Prizren janë pasuria jonë dhe lidhjet që i kanë me shtetet, qoftë Turqinë, qoftë Bosnjën e shtete të tjera, janë lidhje që e forcojnë qytetin tonë”, ka thënë ai. Haskuka ka pohuar se organet komunale bëjnë përpjekje që të ketë shpërndarje të drejtë të investimeve, ashtu që përfitues të jenë të gjithë qytetarët pa dallim etnie.

“Edhe pse buxheti nuk është i mjaftueshëm për t’i mbuluar të gjitha kërkesat ne jemi munduar që të jemi sa më të drejtë në shpërndarjen e tij... Kemi shumë kërkesa për infrastrukturë, buxheti është i pamjaftueshëm, në aspekte të caktuara s’kemi pasur as përkrahje adekuate nga ministritë e caktuara.

Por në afatgjatë mendoj se të gjitha çështjet do të kryhen”, ka deklaruar ai. Sipas Haskukës, edhe investimet në arsim, shëndetësi e administratë realizohen për të gjithë qytetarët, ngase nga përmirësimet në këta sektorë përfitojnë të gjithë qytetarët.

"Edhe me statistikat e të punësuarve Komuna e Prizrenit gjendet ndër komunat që ka numrin më të lartë të komuniteteve në administratën e saj. Jemi mbi 10 për qind që kërkohet me ligj. Gjatë qeverisjes 3-vjeçare, nëse shikojmë punësimet në bazë të komuniteteve, ne jemi edhe më mirë në këtë aspekt", është shprehur ai.

Nënkryetarja për komunitete, Memnuna Ajdini, ka theksuar se arsyeja e organizimit të këtij debati ka të bëjë me nevojat e komuniteteve që përballen me vështirësi të shumta e që dëshirojnë ato t’i zgjidhin në mënyrë institucionale.

Duke paraqitur ankesat e pranuara nga komunitetet joshumicë ka veçuar dy çështje; shkeljet në raport me përdorimin e gjuhës boshnjake dhe asaj turke, si dhe punësimin. Sipas saj, vërejtje ka edhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me subvencionet e infrastrukturën.

Në anën tjetër qytetarët nga radhët e komuniteteve joshumicë kanë adresuar shqetësime të natyrave të ndryshme.

Esmer Kasi ka pohuar se fshatra të caktuara në Zhupë nuk kanë ambulanca mjekësore dhe se te ato ekzistuese nuk ka personel mjekësor. Sipas tij, gjuha boshnjake deri vonë nuk është respektuar as në ueb-faqen e Komunës.

Sylejman Elshani ka bërë të ditur se komuniteti i tij pret aprovimin e organeve komunale për përdorimin zyrtar të gjuhës rome në Komunën e Prizrenit. Sipas tij, ka telashe edhe sa i përket punësimit të pjesëtarëve të komuniteteve RAE, ani pse për 5 vjet ka 60 të diplomuar.

Azmir Miftari ka shprehur qëndrimin se në takimet me zyrtarët komunalë ka pasur pajtim që përfaqësuesit e fshatrave të përfshihen në projektim, në mënyrë që projektet të jenë më të dobishme.

“Por kjo nuk ka ndodhur, pavarësisht zotimeve të dhëna”, ka thënë ai.

Ferdi Rexhepi ka theksuar se ka shumë probleme për komunitetet joshumicë, por se më elementarja është furnizimi me ujë, ku, sipas tij, në Gërnçarë ende nuk ofrohet ky shërbim, ani pse në zgjedhje premtohet një gjë e tillë.

Ndërsa Fikret Sezairi ka vlerësuar se problemet janë të shumta, derisa rezultatet janë të pakta. Sipas tij, institucionet duhet të angazhohen më shumë për ta ruajtur karakterin shumetnik të Prizrenit.

Lidhur me këto vërejtje e shqetësime, zyrtarët e ndryshëm komunalë kanë dhënë sqarime, duke theksuar se disa çështje të adresuara janë kompetencë e Qeverisë qendrore.