Arbëri

Në Pejë u dogj balona që nxiti reagim të qytetarëve

Në vendin ku ishte vendosur të hënën nga institucionet komunale, një balonë me ajër me logon e komunës dhe me mbishkrim “Komuna e Pejës, Mirë Se Vini”, ka mbetur vetëm hiri i balonës.

Balona kishte marrë flakë të hënën në orët e mbrëmjes dhe ishte djegur e tëra. Ende s’dihen shkaqet që çuan në djegien e saj.

Image

“Me datën 23 nëntor rreth orës 22.00 policia është informuar për një zjarr në rrugën ‘Zahir Pajaziti’. Me të marrë informacionin njësitet policore kanë dal në vendin e ngjarjes, ku kanë dal edhe ekipi i zjarrfikësve dhe eksperti i zjarrit. Rasti është duke u hetuar”, ka thënë për KOHËN, zëdhënësi i policisë së Pejës, Driton Rugova.

Kjo balonë ishte vendosur në hyrje të qytetit të Pejës nga drejtimi i Prishtinës.

Vendosja e saj, me ngjyrat në formë horizontale kaltër, bardhë dhe kuq, kishte nxitur reagim të qytetarëve e opozitës. Sipas tyre, ngjyrat ngjanin në flamurin e ish-Jugosllavisë. Reshat Nurboja nga Alternativa e ka quajtur provokues e baltosës të ndjenjave kombëtare të qytetarëve të Pejës, balonën e komunës.

“Ishte karikaturë e shëmtuar, e cila nuk simbolizonte asgjë të përbashkët me Pejën e Kosovën. Dhe kështu, ky regjim naiv e i paditur i kësaj qeverie të Komunës së Pejës, Kosovës i ka krijuar ndoshta ndonjë problem, pa nevojë, diplomatik, që sigurisht forcat antishqiptare do të mundohen ta përdorin për ta kritikuar Kosovën në jo pak takime zyrtare e jozyrtare ndërkombëtare”, u shpreh ai.

I ashpër ishte edhe reagimi i përfaqësuesve të shoqërisë civile në Pejë.

“Njerëzit që jetojnë e vijnë në Pejë, nuk vijnë për Gazmend Muhaxherin. Ata vijnë se e duan qytetin dhe çdo paqartësi apo irritim për qytetarin mund të përfundojë ne veprime të tilla si ishte rasti me balonën mirëseardhëse. Një balonë, Pejën akoma nuk e bën qytet të balonave, as si simbolikë, e lëre me më simbolika e ngjyra të keqkombinuara e irrituese nga një e kaluar e vështirë që kanë përjetuar qytetarët. Pra, Muhaxheri duhet të ketë kujdes, të konsultohet paraprakisht me qytetarin për veprimet, e jo të veprojë kokë në vete”, ka thënë Veton Mujaj, drejtor i OJQ “Syri i Vizionit” në Pejë.

Për djegien e balonës dhe reagimet e qytetarëve s’kanë pranuar të deklarohen drejtoresha e Zhvillimit Ekonomik, Lendita Muhaxheri, e as kryetari i Komunës, Gazmend Muhaxheri, që ka shfrytëzuar rrjetet sociale për të thënë se “djegia e ka trishtuar tmerrësisht”.