Në kundërshtim me masat e Qeverisë për parandalimin e përhapjes së pandemisë janë duke vepruar Lëvizja Vetëvendosje e Partia Demokratike e Kosovës në Podujevë.
Kandidatët e këtyre dy partive, Shpejtim Bulliqi e Naim Fetahu, të shoqëruar edhe nga udhëheqësit e tyre, Albin Kurti e Enver Hoxhaj, janë duke mbajtur tubime me qytetarët, ndonëse një gjë e tillë është e ndaluar, raporton KOHA.
Pavarësisht postimeve në rrjetet sociale, kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Podujevës thotë se janë duke i respektuar të gjitha masat.
“Po bëjmë përpjekje që të organizojmë sa më shumë kontakte, kontakte të shkurta me numër të vogël të anëtarësisë dhe ato që s’po mundem ti realizojmë drejtpërsëdrejti po mundohemi përmes postimeve të ndryshme në rrjete sociale që të bartim mesazhin tonë te qytetarët”, ka deklaruar Bulliqi.
Njëjtë thonë edhe nga Partia Demokratike e Kosovës.
“Ka ndryshuar forma dhe përmasat e takimeve, mirëpo, duke i respektuar të gjitha rekomandimet e institucioneve shëndetësore, ne po vazhdojmë që të flasim me qytetarët. Jemi të kënaqur me mbështetjen e tyre dhe mezi po presim 29 nëntorin që të sjellim ndryshimin e shumëkërkuar në Podujevë. Ne jemi duke respektuar masat me përpikëri. Para çdo lloj interesi personal dhe politik, për mua me rëndësi është shëndeti i qytetarëve tanë. Fushata jonë kryesore është orientuar në rrjete sociale dhe takime shumë të ngushta. Normalisht, është me specifike, për të mos thënë më e vështirë, por jemi të kënaqur me mbështetjen e qytetareve gjatë kësaj periudhe”, është shprehur Fetahu.
Vetëvendosjen e PDK-në për mosrespektim të masave i ka kritikuar kandidati i LDK-së, për të parin e Podujevës, Nexhmi Rudari.
“Vërtetë kjo është për keqardhje kur një ish-kryeministër dhe një pretendent për kryeministër i shkel vendimet e qeverisë dhe rrezikon popullatën, rrezikon shëndetin e qytetarëve vetëm për të mbledh ca vota më shumë”, ka thënë Rudari.
Për shkeljen e masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, brenda 24 orëve të fundit, Policia e Kosovës ka shqiptuar 799 gjoba, derisa që nga 26 gushti i këtij viti gjithsej 74 mijë. Por nga Policia e Kosovës nuk kanë bërë të ditur nëse ndonjëra prej gjobave është ndaj zyrtarëve në Komunën e Podujevës për tubimet e mbajtura.
Mosorganizimin e aktiviteteve fizike nga partitë, sipas rekomandimeve të institucioneve shëndetësore e ka kërkuar edhe KQZ-ja.
“Për shkak të rrethanave specifike në të cilat ndodhemi për shkak të situatës me pandeminë natyrisht që kjo fushatë pritet të jetë e orientuar më shukmë në rrjete sociale dhe në media por edhe për shkak të masave kufizuese të cikat janë vendosur nga ana e institucioneve shëndetësore”, ka thënë Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.
Përveç masat ndaj pandemisë, partitë në Podujevë nuk janë duke respektuar as afatin e caktuar nga KQZ-ja për mbajtjen e fushatës. Sipas tij, fushata zgjedhore në këtë komunë duhet të fillojë nga java tjetër, më 23 nëntor.
Në anën tjetër, Eugen Cakolli nga KDI-ja, ka thënë se partitë duhet të përmbahen nga organizimi i aktiviteteve në këtë kohë.
“Në radhë të parë për shkak të pandemisë por edhe duhet ta respektojnë ligjin iu cili kërkon që fushata të jetë konform dispozitave të KQZ e cila ka përcaktuar afate tjera për fushatën e jo ajo çfarë aktualisht është duke ngjarë si në Podujevë apo edhe në Mitrovicë të Veriut”, ka thënë ai.
Të premten, më 13 nëntor, kanë hyrë në fuqi masat e reja të Qeverisë së Kosovës.
Sipas tyre, grumbullimi i qytetarëve prej më shumë se 5 personave është i ndaluar ashtu sikurse edhe të gjitha tubimet publike.