Arbëri

Komuna e Gjilanit përgatit dosjen në tri vëllime me dëshmi për krimet e luftës

21 vjet më parë, Nehat Shabanit i është vrarë djali dhe disa familjarë të tjerë në fshatin Llashticë të Gjilanit. Civilët shqiptarë ishin vrarë nga paramilitarët serbë në kuadër të një fushate e cila ishte orkestruar nga shteti serb.

Tani, Nehati është i pakënaqur me institucionet e Kosovës ngase, sipas tij, shteti bëri pak sa u përket hetimeve dhe gjetjes së autorëve të cilët vranë 26 civilë në këtë fshat në vitin 1999.

Kurse organet komunale të Gjilanit kanë përgatitur dhe botuar dosjen për krimet e luftës të cilat kanë ndodhur në këtë komunë në vitin 1999. Dosja është e ndarë në tri vëllime. Ajo përmban fotografi e incizime, si dhe deklarata të dëshmitarëve për krimet që kanë ndodhur.

Po ashtu, janë prezantuar edhe dëmet financiare që shteti serb ua ka shkaktuar ekonomive familjare, e që vlerësohen të jenë miliona euro.

Komisioni i cili ka punuar në grumbullimin e fakteve për dëmet e luftës këtë dosje e ka dorëzuar në Prokurori dhe në Policinë e Kosovës.

Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Gjilan, përmes një komunikate, ka pohuar se është duke punuar në ndriçimin e krimeve të luftës, me ç’rast janë intervistuar dëshmitarë dhe përfaqësues të familjeve të viktimave. Prokuroria ka theksuar se në të kaluarën hetimi i krimeve të luftës ishte kompetencë e UNMIK-ut dhe EULEX-it dhe tani këto kompetenca u janë bartur institucioneve të Kosovës.