Arbëri

Shtabi Emergjent mobilizohet për gjetjen e hapësirave spitalore në Ferizaj

Dikur vatër infeksioni, Komuna e Ferizajt, sërish po përballet me numër të madh të rasteve pozitive, dhe aktualisht ka mbërritur në 150 raste pozitive.

Kjo ka çuar edhe në rritjen e numrit të pacientëve në Spitalin Rajonal të Ferizajt, raporton KOHA.

“Prindin e kam këtu, mirë po trajtohen, shërbimet janë të mira, ka oksigjen mjaftueshëm. Prindi ka sëmundje diçka me mushkëri, testin e ka bërë, por ende nuk kanë dalë rezultatet, po presim deri nesër”, ka thënë Brahim Hashani, familjar i pacientit.

Trendin në rritje të rasteve që kërkojnë ndihmë, e konfirmon edhe drejtori i Spitalit, Jeton Zeqiri.

“Për momentin në spitalin tonë jemi duke i trajtuar 12 pacientë dhe prej tyre 2 janë me gjendje pak më të vështirësuar me ventilim mekanik apo me modulin “Sipap”, ndërkaq të tjerët janë me oksigjenoterapi”, ka deklaruar Jeton Zeqiri, drejtor i Spitalit Rajonal në Ferizaj.


Shtabi Emergjent në Komunën e Ferizajt menjëherë është mobilizuar për gjetjen e hapësirave spitalore dhe furnizim me materiale shpenzuese për nevojat e personelit shëndetësor dhe për nevojat e pacientëve.

Bekim Ademi, drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Ferizajt, ka thënë se Spitali Rajonal nuk i plotëson kushtet për trajtimin e rasteve me COVID-19, shkaku i mungesës së hapësirës dhe materialeve shpenzuese, duke përsëritur thirrjen që të zbatohen rekomandimet e IKSHPK-së.

“Si Shtab Emergjent kemi marrë vendim që emergjenca primare të kalojë në shërbim të spitalit të përgjithshëm, ku shtretërit që kanë qenë për shërbim të sëmundjeve të tjera dhe për dhënien e infuzioneve për persona që nuk e kanë COVIDIN, tani është shndërruar në hapësirë për spital dhe po shërben për të marrë terapinë e duhur”, ka pohuar Ademi.

Që nga marsi, në këtë komunë janë infektuar me koronavirus mbi njëmijë qytetarë, ndërkohë në mesin e 150 rasteve aktive, janë edhe 27 mësimdhënës dhe katër nxënës.