Kosovë

Opozita kundërshton vendimin e KK-së për stimulim të shtabit emergjent gjatë shpërndarjes së ndihmave

Opozita kundërshton vendimin e KK-së për stimulim të shtabit emergjent gjatë shpërndarjes së ndihmave

Lëvizja Vetëvendosje dhe AAK-ja, dega në Lipjan po vazhdon ta kundërshtojnë vendimin e Kuvendit Komunal për kompensimin e dhjetëra punëtorëve të administratës në shtabin emergjent të cilët në fillim të pandemisë ishin deklaruar në mënyrë vullnetare për t’i shpërndarë ndihmat e komunës nëpër familje skamnore. Kritika ndaj këtij vendimi kanë shprehur edhe kuvendarët nga radhët e AAK-së me arsyetim se kanë përfituar vetëm militantët e subjektit të LDK-së.

Për marrjen e këtij vendimi, kishte propozuar kryetari i komunës Imri Ahmeti në mënyrë që pagesat të bëhen nga kategoria e subvencioneve. Albulena Kelmendi, këshilltare nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka sqaruar se kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti para këshilltarëve komunalë dhe pa e përfshirë paraprakisht në materialin që u dërgohet rëndom asambleistëve për analizë, e kishe sjellë për rend të ditës një pikë e cila do të mundësonte kompensimin me pagë shtesë për punëtorë të administratës komunale për, siç pretendohet, për punën dhe angazhimin e tyre vullnetar për ndihmë në menaxhimin e pandemisë globale Covid 19 në komunën e Lipjanit. “Sipas Kryetarit, punëtorët administrativë me vetë iniciativë janë deklaruar se duan të ndihmojnë në aktivitete që konsistonin bartjen e miellit e gjërave tjera ushqimore, sidomos për zonën e karantinuar atëbotë, Janjevën, e cila kishte një qytetar të prekur nga virusi Korona. Si rrjedhojë, për ta shpërblyer këtë vullnet e gatishmëri për solidarizim, këtyre punëtorëve do t'u mundësohej marrja e një rroge shtesë”, ka thënë Kelmendi.