Arbëri

Asfaltimi i rrugëve në Rugovë ndihmon turizmin dhe lehtëson jetën e banorëve në këto male

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, bashkë me kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, kanë marrë pjesë në përurimin e asfaltimit të rrugëve Koshutan-Hajlë-Rugovë dhe Dugaievë-Gunishtë-Shkrel në Rugovë.

Ministri Abrashi tha se asfaltimi i këtyre rrugëve shërben për zhvillimin e turizmit dhe në lidhjen e fshatrave të kësaj ane.

Ai tha se orientimi në mbështetjen e turizmit në Kosovë përmes infrastrukturës krijon vende të reja të punës dhe ndikon në zhvillimin ekonomik.

“Mbështetja e turizmit përmes krijimit të infrastrukturës që po bëhet në Pejë do të ketë impakt edhe në zhvillim ekonomik dhe në hapjen e vendeve të reja të punës. Tashmë janë disa projekte që po zhvillohen në këtë pjesë të Pejës, që do ta krijojnë një lidhje edhe më të mirë për banorët dhe për vizitorët”, tha Abrashi.

Ndërsa i pari i Pejës, Muhaxheri i ka quajtur investime strategjike asfaltimin e këtyre rrugëve në Rugovë, duke theksuar se do të ndikojnë direkt në zhvillimin e turizmit.

Abrashi tha se do të ketë investime të tjera bazuar në memorandumin në mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës së Pejës. ​