Arbëri

Nxënësit e fshatit Shtupel përballen me mungesë të transportit, ecin 4 km

Me këtë skenar u duhet të ballafaqohen fëmijëve të lagjes Bakaja nga fshati Shtupel i Klinës gjatë rrugës së përditshme për shkollë.

Në mungesë të transportit, ata detyrohen që më shumë se 4 kilometra rrugë t’i bëjnë në këmbë për të mbërritur deri te shkolla e vetme e fshatit.

Kërkojnë që t’u bëhet një zgjidhje në pamundësi të mjeteve personale për të udhëtuar deri atje.

E përfaqësuesi i kësaj lagjeje Hajzer Arifaj, thotë se ka më shumë se dy vjet që çon ankesa në komunë në kërkim të një zgjidhjeje për nxënësit, raporton KOHA.

Ai tregon se transporti për në shkollë nuk është problemi i vetëm me të cilin përballen 300 banorët e lagjes Bakaja të këtij fshati në Klinë.

Përkundër se viti shkollor sapo ka filluar, banorë të tjerë thonë se në rast se nuk sigurohet transporti dhe nuk zgjidhet problemi me qentë endacak, ata do t’i ndalin fëmijët nga shkolla.

Drejtori i shkollës fillore të fshatit thotë se nxënësit duhet të gjejnë rrugë të tjera alternative. Ka treguar se edhe ai vetë ka provuar të gjejë zgjidhje për nxënësit.

Nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Klinë thonë se janë hapur procedurat e tenderimit për sigurimin e transportit për këta nxënës.

KTV- ja ka pyetur edhe në stacionin e Policisë në Klinë për problemin me qentë dhe mosintervenimin tash e 7 muaj prej kur banorët kanë paraqitur ankesat, porse nuk ka marrë përgjigje.