Arbëri

Nxënësit bojkotojnë mësimin në Kamenicë kundërshtojnë Komunën dhe Ministrinë

Descriptive Text

Vazhdojnë problemet në komunën e Kamenicës edhe në këtë vit të ri shkollor. Nxënësit të cilët kanë edhe mbështetjen e prindërve kanë bojkotuar procesin mësimor me arsyetimin se nuk duan që të transferohen në shkollat e tjera të cilat gjenden larg vendbanimeve të tyre.

Kështu nxënësit nga fshatrat Kopernicë, Karaqevë e Poshtme, Busavatë, Shipashnicë e Poshtme dhe fshatit Petrovc nuk kanë vijuar procesin mësimor duke kundërshtuar zbatimin e reformës që është iniciuar nga kryetari i komunës Qëndron Kastrati.

Sipas planit të komunës shkollat të cilat kanë numër të vogël të nxënësve do të mbyllen dhe nxënësit do të transferohen në shkollat të cilat kanë numër më të madh të nxënësve ndërkaq komuna do të mbulojë shpenzimet e transportit. Banorët janë të vendosur në kundërshtimin e tyre ndaj reformës mirëpo është Ministria e Arsimit e cila i ka dhënë dritën jeshile komunës që të vazhdojë me këtë reformë.

Ish-ministrja e Arsimit, Hikmete Bajrami dhe kryetari i komunës së Kamenicës ishin pajtuar në shkurt të këtij viti që reforma të pezullohet vetëm në dy fshatra të Kamenicës që është fshati Koretin dhe Topanicë. Ata ishin pajtuar që reforma të implementohet për vendbanimet e tjera në këtë komunë.

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati në prononcimin për Kohën ka deklaruar se është i informuar se një pjesë e nxënësve nuk kanë vijuar procesin mësimor.

Ai thotë se do të ndjekin rrugët ligjore me qëllim që vendimi për riorganizimin e shkollave të zbatohet.

“Të gjitha shkollat janë hap dhe ka pasur nxënës. Por një pjesë e nxënësve prej lokacioneve të caktuara nuk kanë shkuar në shkollë. Mirëpo në ditët në vazhdim konform rregullimit qysh është e rregulluar ligjërisht ne do të veprojmë. Duhet ne të krijojmë kushte më të mira që nxënësit të kenë një edukim më të mirë” ka thënë ai.

Ndërkaq kryetarët e fshatrave shprehen se komuniteti është i vendosur për refuzimin e reformës dhe se janë të vetëdijshëm edhe për pasojat. Kryetari i fshatit Shipashnicë e Poshtme, Asllan Dërmaku deklaron se prindërit refuzojnë që fëmijët e tyre të transferohen larg vendbanimeve ku ata jetojnë. Kritikon Ministrinë e Arsimit për lejimin e vazhdimit të reformës.

“Nuk e kemi ndërmend që fëmijët të dërgohen në një shkollë tjetër. E kemi shkollën tonë në fshat edhe ka numër të mjaftueshëm të nxënësve. Reforma nuk ka kuptim. Qysh nuk ka faj Ministria e Arsimit a kanë njohuri për gjendjen faktike apo ndoshta flasin vetëm prej zyrave. Tek e fundit prindërit do të vendosen për fatin e fëmijëve të tyre” ka thënë ai.

Ndërkaq kryetari i fshatit Petrovc, Xhavit Ajeti deklaron se prindërit kanë refuzuar që fëmijët e tyre të vijojnë procesin mësimor në një shkollë tjetër. Ai shpreson se në zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen vitin e ardhshëm do të bëhet ndërrimi i pushtetit komunal dhe me këtë të anulohet edhe reforma.

“Edhe një vit e ka mandatin si kryetar komune dhe ne do të presim, fëmijët nuk do t’i dërgojmë në Topanicë ashtu siç e parashohin ata. Dhe pasi të përfundojë mandatin atëherë besoj se një tjetër kryetar do të anulojë këtë reformë. Ministria e Arsimit le të zbaton reformën në tërë Kosovën ne do ta pranojmë. Dhe jo me ardh me bo eksperimente në Kamenicë me njerëzit e varfër. Ne nuk pranojmë me i dërgu në një fshat tjetër. Shkollën e kemi ndërtuar banorët dhe donatorët nga Zvicra dhe shkolla ka mbi 100 nxënës dhe nuk është e drejtë me i transferu diku tjetër” është shprehur Ajeti. Ndërkaq kryetari i fshatit, Karaqevë e Poshtme, Selver Lenjani deklaron se prindërit dhe nxënësit dëshirojnë që procesi mësimor të zhvillohet në shkollën “Asllan Thaqi”. Ai thotë se reforma e komunës nuk gjen zbatim.

“Nuk do të lejojmë që nxënësit tanë të barten dhe të dërgohen në shkollat e tjera. Nuk ka kuptim kjo çfarë është duke bërë komuna. Dhe për këtë ne e kundërshtojmë njëzëri të gjithë banorët”, ka thënë Lenjani.