Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj drejtorit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan, Agim Krasniqi, për vepër penale cenim i të drejtave nga marrëdhënia e punës. Po ashtu, kjo prokurori ka ngritur aktakuzë ndaj drejtorit për Shërbime Publike në këtë komunë, Rasim Hasani, për vepër penale kanosje.
Ndaj drejtorit Krasniqi kishte iniciuar padi mjeku familjar në këtë qendër, Fitim Mëziu, me arsyetim se prej vitesh nën presion ishte obliguar të mbajë kujdestari pa ndonjë pagesë.
Po ashtu, Mëziu ishte ngritur në pozitë si mjek i dalluar, por pa ia rritur edhe koeficientin e pagës, raporton KOHA.
Mëziu ka deklaruar se shkresave zyrtare rreth cenimit të drejtës së punës nuk i është përgjigjur as kryetari i Komunës, Imri Ahmeti.
Drejtori i QKMF-së në Lipjan, Agim Krasniqi, nuk ka dashur të flasë rreth kësaj çështjeje me arsyetimin se është i zënë me punë të tjera.
Ndërkaq, në një përgjigje me shkrim, drejtori për Shërbime Publike në Komunën e Lipjanit, Rasim Hasani, ka thënë se aktakuza ndaj tij ka të bëjë për çështje pronësore-familjare.
“Lidhur me rastin konkret, ka të bëjë me çështje pronësore të vëllait tim Adnanit dhe prindit tim, Isufit, pas përkeqësimit të raporteve të personave në fjalë, me qëllim të parandalimit të konfliktit kam ndërhy për të mirë. Pas denoncimit, prokurori e ka parë të arsyeshme të ngrejë aktakuzë, pa e konstatuar saktë dhe drejt gjendjen faktike. Unë besoj se drejtësia do ta gjykojë objektivisht këtë rast, dhe do të vërtetohet roli im në këtë situatë”, ka thënë Hasani.
Ndërkaq, nëpërmjet një përgjigje me shkrim, Gjykata Themelore në Prishtinë ka sqaruar se aktakuzat për dy drejtorët i ka pranuar në muajin mars dhe maj.