Arbëri

Nënshkruhet marrëveshje për ndarjen e 6 milionë eurove për Ngrohtoren e Gjakovës

Është arritur marrëveshje në vlerë prej 6 milionë euro për Ngrohtoren e re në Gjakovë, marrëveshje kjo e mbështetur nga Zvicra.

Ky projekt është nisur me qëllimin e rehabilitimit të rrjetit të ngrohtores, përmirësimin e efikasitetit energjetik të shpërndarjes, gjithashtu do të bëjë ofrimin e shërbimit të ngrohjes dhe ujit të ngrohtë për spitalin e Gjakovës “Isa Grezda”, si dhe përmes këtij projekti do të bëhet kyçja në rrjetin e ngrohjes për institucionet publike, ka njoftuar përmes një komunikate Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit.

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kelly, e ka quajtur këtë projekt të madh për qytetin e Gjakovës dhe “shembull që duhet ndjekur në projektet e tjera”.

Ndërsa, ministri i Ekonomisë, Blerim Kuçi, ka thënë se 500 mijë nga shuma e përgjithshme e vlerës së ndarë do të jepen nga komuna e Gjakovës.

“Është një nga projektet më të rëndësishme në Kosovë i cili do të financohet nga qeveria zvicerane me 5.5 milionë si dhe nga komuna e Gjakovës me shumën 500 mijë euro”, ka thënë ai.