Kosovë

Personeli i infektuar dhe ai i moshuar komplikojnë funksionimin e Spitalit të Pejës

Përveç pacientëve të shtrirë në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, betejën me COVID-19 është duke e zhvilluar edhe personeli i këtij spitali. Deri tash të infektuar janë rreth 50 veta nga personeli, e për më tepër një infermiere 62-vjeçare ka vdekur nga koronavirusi. Aktualisht të infektuar me COVID-19 dhe jashtë procesit të punës janë 5 mjekë, 15 infermierë dhe pesë punëtorë të shërbimit teknik.

“Stafi mbetet sfidë e vazhdueshme edhe për faktin se ne kemi shërbim 24 orë çdo ditë dhe atë shtatë ditë të javës. Dhe kur një prej personelit bie nga sistemi kjo e krijon në mënyrë zinxhirë problemin në kuptimin se nuk guxojmë me lënë asnjë shërbim pa personel dhe na duhet aty për aty me gjet mundësinë e zëvendësimit”, ka thënë drejtori i Spitalit në Pejë, Skënder Dreshaj.