Arbëri

Proteston stafi mjekësor në Lipjan, ndihet i diskriminuar

Një pjesë e infermierëve, mamive, vozitësve, stafit teknik dhe laborantëve në QKMF të Lipjanit mëngjesin e së hënës për rreth një orë e kanë bojkotuar punën, me arsyetimin se janë diskriminuar nga institucionet.

Sipas tyre, edhe mamitë e Repartit të Maternitetit janë obliguar gjatë kohës së pandemisë t’i trajtojnë pacientë e dyshuar me Covid-19.

Teuta Reçica, mami në Repartin e Maternitetit në Lipjan, ka thënë se janë diskriminuar pasi nuk kanë marrë pagë shtesë, transmeton KOHA.

Të diskriminuar po ndihen edhe laborantët, vozitësit dhe stafi teknik i QKMF-së në Lipjan.

Drejtori i QKMF-së, Agim Krasniqi, nuk ka dashur të flasë rreth kësaj çështjeje.

Ai mandej është munduar ta pengojë punën e gazetarit të KTV-së, me arsyetimin se nuk ka të drejtë të xhirojë brenda oborrit të QKMF-së.

Pas protestës së infermierëve, PDK-ja në Lipjan ka kërkuar shkarkimin e drejtorit Krasniqi.

Drejtoresha për Shëndetësi në Komunën e Lipjanit, Merita Bytyqi, ka thënë se Komuna vetëm e ka zbatuar vendimin e Qeverisë për stimulimin e stafit.

Gjatë kohës së pandemisë në këtë komunë janë infektuar me Covid-19 gjithsej 285 qytetarë, prej tyre janë shëruar 174, në mesin e tyre janë infektuar edhe gjashtë mjekë dhe nëntë infermierë.