Arbëri

Në Fushë-Kosovë marrin shërbime edhe qytetarë të komunave tjera, Berisha thotë se s’kanë kapacitete

Komuna e Fushë-Kosovës, thotë se pavarësisht kapaciteteve të vogla në punë, vetëm gjatë ditës së djeshme në komunë kanë marrë shërbime 1269 qytetarë.

Kryetari i komunës, Burim Berisha, përmes një reagimi në Facebook shpreh shqetësimin sa i përket ofrimit të shërbimeve komunale, të cilat në këtë kohë të pandemisë COVID-19, thotë ai, janë të papërballueshme për kapacitetet ekzistuese të stafit.

“Vetëm brenda ditës së djeshme, të datës 04.08.2020, në Komunën e Fushë-Kosovës janë ofruar 947 shërbime komunale, përfshirë të gjitha drejtoritë dhe sektorët. Kur i shtojmë kësaj edhe 322 shërbime shëndetësore, numri i shërbimeve në total është 1269, e rrjedhimisht janë 1269 kontakte me njerëz”, njofton Berisha përmes faqes zyrtare.

Ky numër kaq i madh i shërbimeve, thotë Berisha, “nuk është duke u ofruar vetëm për qytetarët e Komunës së Fushë-Kosovës por edhe për qytetarët e komunave tjera, të cilët këto shërbime nuk po arrijnë t’i kryejnë në komunat e tyre amë”.

“E gjithë kjo po na shkakton shumë vështirësi në respektimin e rekomandimeve të nivelit qendror kundër pandemisë COVID-19. Qytetarë të nderuar të Republikës së Kosovës ju lutemi që të gjitha kërkesat për shërbime t’i kryeni në komunat tuaja!”, përfundon Berisha.