14:55

Hoti u premton përkrahje bizneseve

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka paralajmëruar se pagesat për biznese do të bëhen së shpejti. Gjatë vizitës në Dragash, të dielën, ai ka thënë se qeveria e tij është e përkushtuar që t’i mbështesë prodhuesit vendorë, veçmas pas krizës së shkaktuar pandemia.

“Janë ndikuar nga pandemia, për muajin e parë kanë marrë një mbështetje për punëtorë, tash besoj që menjëherë, posa të hyjë në fuqi ligji i buxhetit, do ta bëjmë edhe pjesën tjetër për të mbështetur këto biznese sa do të vogla, janë të shëndosha me potencial për të depërtuar edhe në tregun vendor dhe ndërkombëtar”, ka thënë Hoti duke iu referuar bizneseve.

Kryeministri Hoti po ashtu ka thënë se pas miratimit buxhetit të rishikuar, tashmë kanë nisur përgatitjet që të implementohet edhe Pakoja për Rimëkëmbje Ekonomike, në mënyrë që të përkrahen bizneset që janë të prekura nga Covid-19.

“Buxheti është miratuar në lexim të dytë dhe është miratuar edhe Fondi për Rimëkëmbje Ekonomike. Ne tash kemi filluar punën dhe ministritë e resorëve të ekonomisë janë duke përgatitur krejt udhëzimet dhe vendimet e nevojshme, në mënyrë që Fondin për Rimëkëmbje Ekonomike ta shpërndajmë sa më shpejt”, theksoi Hoti.

Gjatë vizitës së kryeministrit, Burim Piraj, pronari i një fabrike të mishit në Dragash, ka thënë se pandemia i ka shkaktuar humbje të mëdha në investime dhe prodhim.

Ai ka shtuar se me gjithë vështirësitë, po ia dalin që mos të largojnë asnjë punëtorë nga puna dhe t’i paguajnë tatimet ndaj shtetit.

“Diku 15 përqind më pak se pritjet që i kemi dhe po ashtu na u kanë stopuar investimet. Pra, pandemia na i ka shtyrë investimet që ishin dashur të bëhen në mars-prill. Por, po mundohemi. Asnjë punëtor se ka humbur vendin e punës. Detyrimet e shtetit nuk kemi mundur t’i paguajmë me rregull, mirë i kemi përmbushur”, ka theksuar Piraj./KSP

12:17

​Hoti kërkon përfundimin e rrugës Zhur-Dragash në “afat optimal”

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka kërkuar të dielën që rruga ndërmjet Zhurit dhe Dragashit të përfundojë në afat optimal.

Hoti, i shoqëruar nga disa ministra të kabinetit të tij ka inspektuar punimet në rrugën Zhur-Dragash.

Ai ka theksuar se është e nevojshme infrastruktura për krijimin e kushteve për banorët e kësaj ane, e po ashtu edhe për turizëm.

“Infrastrukturë e nevojshme dhe kushte të nevojshme që të zhvillohet më mirë turizmi dhe të lehtësohet jeta e qytetarëve. Dragashi ka edhe një diasporë të fuqishme të komuniteteve të ndryshme. Kërkoj prej ministrit që të angazhohet që në afat optimal të përmbyllet ky projekt”, ka thënë Hoti.

Ai ndërkohë ka refuzuar të flasë për dialogun, apo për masat për parandalimin e COVID-19. Ka thënë shkurt se sot ka vizitë nëpër biznese/ KSP.