Kosovë

Kundër Korrupsioni konstaton shkelje ligjore në një tender të Komunës së Podujevës

Kundër Korrupsioni konstaton shkelje ligjore në një tender të Komunës së Podujevës

Zyrtarët e Agjencisë Kundër Korrupsionit kanë konstatuar shkelje ligjore në tenderin e Komunës së Podujevës për “Furnizim me material higjienik”. Në opinionin që e ka publikuar ky institucion, thuhet se Komuna si autoritet kontraktues ka bërë specifikime teknike të artikujve, që është në kundërshtim me Ligjin për prokurim publik. AKK-ja ka kërkuar nga zyrtarët komunalë që t’i evitojnë këto shkelje.

“Agjencia pasi ka analizuar me kujdes njoftimin për kontratë, dosjen e tenderit dhe specifikimet teknike, vëren se tek Aneksi 1, Autoriteti Kontraktues ka emërtuar artikujt si në vijim: artikulli nr.12 Vim 500gr, artikulli nr.14 Varakin, artikulli nr.15 Domestos, artikulli nr.23 Shampon për tavolina (politura), artikulli nr.42 Vim i lëngët dhe artikulli nr.51 Avaks për banjë, artikuj të cilët janë specifikuar nga njësia kërkuese në atë mënyrë që u përshtatën prodhuesve të caktuar dhe eliminojnë prodhuesit e tjerë”, thuhet në arsyetimin e këtij opinioni të Kundër Korrupsionit. “Veprimet e Autoritetit Kontraktues konsiderojmë se bien ndesh me nenin 7 Barazia në Trajtim/Jo-diskriminim nenin 27 Dosja e Tenderit, nenin 28 Specifikimet teknike të Ligjit për prokurimin publik....si dhe nenin 20 të Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurimin Publik, shkruan sot KOHA Ditore.