Arbëri

Në Mitrovicë pezullohen shërbimet për dokumente pasi disa zyrtarë rezultuan me COVID-19

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se në Qendrën për Pajisje me Dokumente në Mitrovicën Jugore, disa zyrtarë të kësaj qendre kanë rezultuar pozitiv me COVID-19 dhe për pasojë, është ndaluar përkohësisht ofrimi i shërbimeve si masë për parandalimin e koronavirusit.

“Për shkak të rrezikut nga përhapja e COVID-19, është marrë vendim që Qendra për Pajisje me Dokumente në Mitrovicën Jugore të pezullojë përkohësisht ofrimin e shërbimeve për dokumente të identifikimit dhe vule apostile/verifikuese”, thuhet në njoftim.

Sipas MPB-së, deri në përfundimin e procesit të testimit të stafit të kësaj qendre të gjitha shërbimet mund të kërkohen nëpër qendrat e komunave më të afërta për qytetarët.

“Në Qendrën për Pajisje me Dokumente në Mitrovicën Jugore mund të kryhen vetëm rastet mjekësore si dhe mund të bëhet tërheqja e dokumenteve për aplikimet e mëhershme”, thuhet tutje në njoftim.