Arbëri

Ish-pastruesi i “Ekoregjionit” kërkon kompensim për paraqitjen e problemeve shëndetësore, ndërmarrja refuzon

Për më shumë se 30 vjet, Mahir Gërbani nga Komuna e Prizrenit punoi si pastrues në kompaninë “Ekoregjioni” të kësaj komune.

Ai thotë se puna e rëndë në këtë kompani i ka shkaktuar atij probleme të rënda shëndetësore.

Gjendja e rëndë ekonomike thotë se e ka detyruar atë që të kërkojë kompensim nga kompania për të paguar barnat dhe shpenzimet e tjera, raporton KOHA.

Feriane Gërbani thotë se kompania refuzon të pranojë se babait të saj i është përkeqësuar gjendja nga puna si pastrues në këtë kompani.

Derisa shton se atij iu shkëput edhe kontrata pa pëlqim, duke i lënë pa të ardhura mujore.

Ndërkaq, kryeshefi ekzekutiv i “Ekoregjioni’’ në Prizren, Nehat Basha, i ka mohuar akuzat.

Ai ka thënë për televizionin se është jashtë bazave ligjore sigurimi i pensionit për ish-punëtorin e tyre.

E avokati i familjes Gërbani, Gent Gjini, thotë se për rastin do të ngrenë padi civile për kompaninë.

Avokati ka thënë se ata janë të bindur se klientit të tij i takon kompensimi, ngase për këtë kanë bazë ligjore. Avokati Gent Gjini po ashtu thotë se “Ekoregjioni’’ ka vepruar në kundërshtim me raportet mjekësore të Gërbanit për gjendjen e tij shëndetësore.

Familja Gërbani thonë se do të ndjekin çdo rrugë ligjore për rastin e tyre, ndërsa presin edhe ndihma financiare shkaku i gjendjes së rëndë shëndetësore të kryefamiljarit.