Kosovë

Hetohen disa tenderë të Komunës së Klinës

Hetohen disa tenderë të Komunës së Klinës

Këshilltari i pavarur i Iniciativës Qytetare të Klinës në Kuvendin Komunal të Klinës, Gjokë Lleshaj, kishte ngritur në një takim të Kuvendit vitin e kaluar shqetësimet e tij për keqpërdorimet e mundshme në disa tenderë të Komunës së Klinës, e cila qeveriset nga koalicioni i gjerë AAK, LVV, LDK dhe Nisma. Pas këtyre deklaratave, siç tha ai, është kontaktuar nga hetuesia, shkruan KOHA.

“Unë i kam ngritë vjet në Kuvendin Komunal dyshimet e mia për keqpërdorim dhe abuzim me tenderë nga qeveria lokale. Hetuesia me kontaktuar pastaj pasi kam ngritur këto çështje në kuvend dhe kanë kërkuar që t’i arsyetoj ato dyshime dhe unë i kam arsyetuar se kam pasë dokumente dhe të gjitha i kam dokumentuar. Deklaratë në hetuesi nuk kam dhënë dhe nuk e di se çfarë ka ndodhur tutje”, tha Lleshaj për KOHËN.