Arbëri

Shtyhet miratimi i Rregullores së punës së veprimtarive ekonomike në Komunën e Pejës

Descriptive Text

Kuvendi Komunal i Pejës ka shtyrë shqyrtimin dhe miratimin e Rregullores për orarin e punës së veprimtarive ekonomike. Kërkesën për shtyrjen e tij e ka bërë shefi i Grupit të këshilltarëve të AAK-së, Ardian Berisha. Rregullorja, para se të sillej për shqyrtim, i kishte kaluar të gjitha procedurat - përfshirë edhe diskutimin publik.

“Duke pasur parasysh problemet ekonomike edhe në komunën tonë, të shkaktuara nga pandemia, propozoj që këtë vendim të mos e sjellim sot, por ai të shtyhet së paku deri në muajin shtator”, ka thënë Ardian Berisha. Ky propozim u mbështet prej shumicës së këshilltarëve, e po ashtu edhe nga drejtoresha e Zhvillimit Ekonomik, Xhenet Syka – Kelmendi.

“Rregullorja paraprake daton nga 31 dhjetori i vitit 2003. Ka qenë domosdoshmëri që të përditësohet kjo rregullore. Por, duke pasur parasysh situatën, pajtohemi që aprovimi i kësaj rregulloreje të shtyhet për tremujorin e fundit të këtij viti”, ka thënë ajo, raporton KOHA.

Me këtë rregullore, ndër të tjerash, Komuna e Pejës ka vendosur që shumica e veprimtarive në sektorin privat të mos punojnë të dielave dhe gjatë ditëve të festave zyrtare. Ky propozim është kritikuar vetëm nga këshilltari i Alternativës, Driton Sylqa.

“Jam kundër që bizneseve të mos u lejohet të punojnë të dielave. Është në kundërshtim me parimet fundamentale të ekonomisë së tregut dhe bie ndesh me politikën e punësimit dhe të vetë zhvillimit. Është e pajustifikueshme që disa bizneseve t’u ndalohet puna të dielave”, ka thënë Sylqa.

Ndërsa, Mevlyde Idrizi nga LVVja ka thënë se ka arsye që disa biznese të punojnë të dielën, por duhet të kihet kujdes edhe për punëtorët të cilëve u duhen ditë pushimi gjatë javës.