Arbëri

Latifi: Fermerët e Rahovecit përveç mbylljes së tregut, pësuan edhe nga kushtet atmosferike

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka thënë se nga breshëri i dy ditëve të fundit janë shkaktuar dëme të mëdha në bujqësi.

Ai ka thënë se përveç vreshtave, janë dëmtuar edhe kulturat perimtare.

Latifi në Express Intervista të KTV ka thënë se ka dëme edhe në amvisëri dhe ekonomi familjare.

Sipas tij, përveç dëmeve nga kushtet atmosferike, fermerët janë dëmtuar edhe nga Qeveria, pasi nuk janë lejuar të shesin produktet e tyre në tregun e kësaj komune.

“Përkitazi për këto dëme kam formuar një komision të veçantë për evidentimin e tyre dhe ato duhet të kompensohen sepse ka dëme të mëdha. Ne si komunë e kemi planifikuar buxhetin për bujqësi, për këtë vit është mbi një milion euro. Komuna e Rahovecit nuk ka asnjë mundësi që t’i kompensojë fermerët në këto dëme të mëdha. Ne do të kërkojmë nga Ministra e Bujqësisë, Qeveria e Kosovës dhe Kurti që fondin e rezervave shtetërore t’ua dedikojë atyre që janë goditur nga fatkeqësitë natyrore”, ka thënë ai.

Latifi tutje e ka quajtur të padrejtë moslejimin e aktivizimit të tregut. Ai thotë se do të respektoheshin të gjitha rregullat për parandalimin e koronavirusit.

“Ndërkohë që fermerëve tanë iu është lejuar që të shesin në tregjet tjera, unë nuk e di kujt i ka penguar tregu e të vijnë ta mbyllin me Njësi Speciale. Në treg kanë qenë tezgat 6 metra larg nga njëra-tjetra. Ky është një vendim arbitrar. Tash të shohim se çka ka shpëtuar nga këto 48 orët e fundit”, ka thënë ai.

Sipas tij, përveç humbjeve të mëdha të pandemisë, janë shkaktuar dëme edhe nga kushtet natyrore.

Ai thotë se në vitin 2018 Qeveria Haradinaj i kishte kompensuar fermerët më 1 milion euro.

Latifi shton se buxheti i komunës është shumë i kufizuar që t’iu dalë në ndihmë fermerëve, duke shtuar se ndihmë presin nga institucionet qendrore.

“Kanalet e kullimit të tokave jemi duke bërë por kur ka breshër, dëmet janë të riparueshme. Dëmet nga erërat janë shumë të mëdha dhe në këtë rast vetëm Qeveria mund të investojë”, ka thënë ai.

Ndërkaq ai e ka parë si të nevojshëm investimin në sistemin anti-breshër, pasi që sipas tij, viteve të fundit janë shkaktuar dëme të mëdha në bujqësi në këtë komunë.

“Në vitet 70-90 ka qenë i aktivizuar sistemi anti-breshër, por aji nuk është aktivizuar më. Problemet janë përtej mundësive dhe kompetencave të Qeverisë së Kosovës. Duhet komunikim më intensiv me KFOR-in. Nëse në Serbi dhe në vendet tjera ka sistem të tillë pse të mos ketë edhe në Kosovë”, ka thënë ai