Arbëri

Pandemia ndikon negativisht në realizimin e të hyrave në Obiliq

Rënie të arkëtimit të të hyrave vetjake ka shënuar Komuna e Obiliqit për katër muajt e parë të këtij viti. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019 (janar-prill), sivjet ka realizuar 30 për qind më pak të hyra. Zyrtarët komunalë thonë se kjo mungesë e mjeteve nga të hyrat ndikon negativisht edhe në realizimin e projekteve kapitale të parapara për sivjet nga këto mjete.

“Komuna ka të planifikuara me buxhet 2020 të hyra vetjake 1,022,665 €. Pandemia COVID – 19 ka ndikuar negativisht në mbledhjen e THV 2020. Krahasuar me periudhën janar-prill 2019, me periudhën e njëjtë 2020 inkasimi ka rënie për 30%. Kjo situatë ndikon negativisht (në realizimin e projekteve të parapara për sivjet v.j.)”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për informim të Komunës së Obiliqit, shkruan Koha Ditore.

Por, ndryshe e sheh ish-kryetari i kësaj komune, Mehmet Krasniqi, që është edhe kryetar i Degës së LDK-së në Obiliq. Sipas tij, për shkak të Ligjit për Obiliqin që ia mundëson të marrë disa milionë euro, kjo rënie e të hyrave nuk do të vërehet fare. Sipas tij, Komuna e Obiliqit do ta vërejë më së paku këtë.

“Unë mendoj që Komuna e Obiliqit ka me pas më së paku probleme në këtë drejtim, për shkak se me futjen në fuqi të Ligjit për Obiliqin janë shtuar këto kapacitete financiare dukshëm. Dhe pjesa e të hyrave sillet prej 900 mijë deri në 1 milion euro (në vit v.j.). Po supozojmë që mund të ketë realizim diku 40-50 për qind. Obiliqi ka me pas më së paku probleme se ka buxhet të mjaftueshëm”, është shprehur Mehmet Krasniqi.

Sipas tij, Ligji për financat publike iu jep mundësi komunave të bëjnë një rishikim komplet të projekteve kapitale dhe se për ato projekte që është paraparë të realizohen nga dy burime (granti qeveritar dhe të hyrat) do të duhet të reduktohet ndonjë projekt, dhe pjesa tjetër e tyre do të realizohet vetëm nga granti.

“Duhet reduktuar disa projekte. Buxheti i të hyrave do të bjerë për 500-600 mijë euro që nuk do të mund t’i realizojë për shkaqe objektive. KEK-u pjesën e vet që është mbushësi kryesor i pjesës së të hyrave diku me 370-380 mijë euro e realizon, se KEK-u nuk e ka atë problem. Po në tërësi dëmi do të shkojë në 500-600 mijë euro në pjesën e të hyrave”, ka theksuar ish-kryetari i Obiliqit. “Unë nuk po them se 500-600 mijë euro nuk janë kurrgjë ose pak, por në krahasim me rritjen e buxhetit që i ka tash diku 5.5 milionë për kapitale nga 1.5 milionë që i ka pasur në të kaluarën trefishi i saj, amortizohet se Komuna e Obiliqit është e vogël, niveli i investimeve për projekte kapitale ka ecur shumë me këto mjetet për Obiliqin pothuajse pjesa më e madhe e rrugëve, kanalizimeve, ujësjellësit kanë përfunduar dhe do të hetohet pak ky dëm në krahasim me komunat e tjera që janë të varura shumë prej të hyrave e grantin e kanë të vogël”...