Arbëri

Komunat mirëpresin paralajmërimin për lehtësim të masave

Për rreth 2 orë, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe ministrja e Administratës dhe Pushtetit Lokal, Emilija Rexhepi, kanë njoftuar të gjithë kryetarët e komunave në Kosovë për masat lehtësuese që do të hyjnë në fuqi pas 4 majit, transmeton KOHA.

Në një takim të zhvilluar në objektin e Qeverisë së Kosovës, ministri Vitia ka treguar detaje lidhur me propozimet e ekspertëve për lehtësim të masave kundër përhapjes së koronavirusit.

Këtu përfshihen masat lehtësuese që do të zhvillohen në disa faza dhe ajo se një pjesë e bizneseve do të hapen gradualisht.

Por, për kryetarin e Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, takimi është i vonuar dhe institucionet nuk po bashkëpunojnë me komunat lidhur me këto masa.

Derisa Zenun Elezaj, kryetar i Klinës, duke mos dashur të komentojë lidhur me atë se çfarë kanë propozuar ministritë, në këtë mbledhje ka kërkuar që Klina të largohet nga karantina.

Dalje nga izolimi kanë kërkuar edhe Komuna e Ferizajt, Malishevës si dhe ajo e Prishtinës.

E, disa kryetarë të komunave të tjera i kanë mirëpritur lehtësimet e masave, mirëpo kanë apeluar te qytetaret për kujdes.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur për KOHËN se të enjten bëhen publike masat e reja që do të hyjnë në fuqi javën e ardhshme.