1 perditesime
23:57

Latifi thotë se Kosovës i duhet sa më shpejtë qeveri me kompetenca të plota

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka thënë se Kosovës i duhet qeveri me kompetenca të plota që të marrë përsipër udhëheqjen e vendit në situatën aktuale të përballjes me pandeminë.

Në Interaktiv të KTV-së, anëtari i AAK-së ka thënë se Kosova nuk bën të vazhdojë më me qeveri në detyrë.

“Kosova është me qeveri në detyrë, besoj se ka nevojë të ketë qeveri të votuar në Kuvend. Nuk mund të vazhdojmë më në këtë fazë me qeveri të shkarkuar me 2/3 e votave. Taksa është hequr nga qeveria në detyrë dhe Aleanca e ka pas një qëndrim të caktuar edhe rreth taksës edhe rreth reciprocitetit. Po bëjmë fjalë për një rrethanë e cila nënkupton përpjekjen për qeveri të re që të përballemi edhe më suksesshëm me pandeminë, por edhe me pasojat që po lë pandemia”, ka thënë ai.

Ai ka refuzuar të komentojë nëse një qeveri e re, pa Vetëvendosjen si fituese të zgjedhjeve të fundit, është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.

Latifi: Me Gashin duhet të merret Prokuroria Speciale

Duke komentuar deklaratat e Shkëlzen Gashit, ish-këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, për krime të supozuara të pjesëtarëve të UÇK-së, Latifi ka thënë se me këtë duhet të merret Prokuroria Speciale e Kosovës.

“Është gabim të deklarohet për një vlerë që është kryevepër e popullit tonë. Lufta e UÇK-së është vlera më e lartë e këtij populli. Ta cenosh një vlerë të paprekshme siç është vlera e luftës së UÇK-së është e paprecedent. Nuk mund të krahasohet, të vihet baraspeshë mes luftës krenare të Kosovës me një shtet që kishte platformë, sistem, siç është Serbia, për të kryer krime kundër njerëzimit, për të zhdukur viktimat e veta, për të dhunuar mijëra gra e vajza të popullit tonë. S’mund të krahasohet e të vendosen gurë baraspeshe mes një populli që ka luftuar për vendin e vet e shtetit që ka ndërmarrë veprime terroriste në përmasa të gjenocidit e të shfarosjes”, ka thënë Latifi. “Botërisht është e njohur që Serbia ka bërë krime në Kosovë, ishte pushtuese dhe shqiptarët e organizuar në radhët e UÇK-së jo vetëm që s’kanë bërë krime, por kanë bërë luftë të drejtë, luftë çlirimtare e mbrojtëse. Këto krahasime janë të gabuara, në thelb kriminale, e kushdo që mendon kështu mendoj që duhet të trajtohet edhe nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Pasi s’kemi adresë tjetër, Prokuroria duhet t’i marrë seriozisht ata që atakojnë kryeveprën e një populli. Duhet ta hetojë atë dhe cilindo që ka atë guximin që të dalë me deklarata e qëndrime të tilla. Prokuroria Speciale e Kosovës duhet të merret shumë seriozisht me këto raste sepse s’mund të lejojmë që në shtetin tonë të vijë dikush kundër simbolit të lirisë, kundër UÇK-së, që është simbol dhe kryevepër e lirisë në Kosovë”.

23:37

Latifi: Gjendja me Covid-19 në Rahovec nën kontroll, për fermerët së shpejti treg të përkohshëm

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, në Interkativ të KTV-së ka thënë se situata me Covid-19 në këtë komunë është nën kontroll.

“Gjendja është e qetë, e mirë, besoj se e kemi nën kontroll. Numri i rasteve të konfirmuara është 18. Sipas burimeve tona, konsiderojmë se Covid-19 ka ardhur nga burim infeksioni në repartin e hemodializës në Spitalin e Prizrenit. Dy punëtore shëndetësore në vendin e tyre të punës kanë marrë infeksionin, e pastaj 14 raste të kontaktit kanë qenë si pasojë i këtyre kontakteve”, ka thënë Latifi.

Ai ka shtuar se rasti i sotëm në këtë komunë është duke marrë trajtim në Prishtinë.

“Rasti i sotëm dje ka dalë negativ, e sot pozitiv. Kurse gjendja e tij është më e dobët dhe është duke marrë shërbime në dializë. Mund të kenë komplikime të tjera në këto lloj situata”, ka thënë ai.

Ai ka konfirmuar se shumica e të prekurve janë në qytetin e Rahovecit.

“Një rast është në Opterushë, bëhet fjalë për punëtoren shëndetësore. Një rast është në Reti, ndërsa pjesa tjetër janë në qytetin e Rahovecit. Natyrisht, hapi i parë ka qenë futja në karantinë e të gjithë pacientëve dhe familjarëve të tyre, dhe rastet e kontaktit janë të vetizoluar. Kemi bërë dezinfektim e vendeve në karantinë të këtyre familjeve. Natyrisht, sipas rasteve, iu kemi shpërnda edhe pako ushqimore e higjienike nëse ka pasur nevojë. Nuk kanë simptome asnjëri prej këtyre rasteve, përveç këtij rastit të sotëm që është i shtrirë në Prishtinë”, ka thënë Latifi.

Tutje Latifi thotë se janë duke menduar që t’u japin zgjidhje edhe fermerëve, që po kanë probleme tani me shitjen e produkteve të tyre.

“Ne kemi kërkuar në vazhdimësi që fermerët të kenë rrethana lehtësuese dhe ato janë krijuar. Ata po i kryejnë punët e tyre dhe po bëjnë një punë mjaft të mirë në këtë kohë pandemie. Fakti që janë mbyllur tregjet, ata nuk kanë edhe ku ti shesin. Ne po përpiqemi që të krijojmë një treg të përkohshëm, në mjediset ku mbahet Hardh Festi që nga 20-30 fermerë duke e respektuar distancën të shesin prodhimet e tyre. Ne duhet të përkujdesemi që të improvizojnë në hapjen e përkohshme të tregut. Është paraparë edhe nga Ministria e Shëndetësisë që të hapen këto tregje. Ne po përpiqemi të respektojmë këto rekomandime”, ka thënë Latifi.