Arbëri

Për shkak të pandemisë, shumë projekte në Podujevë mund të mos vazhdojnë sivjet

Makineritë e operatorëve ekonomikë në Komunën e Podujevës ka kohë që nuk janë ndezur.

Asnjë projekt i ri nuk ka filluar të realizohet sivjet, ndërkohë që nuk është duke u punuar as në ato që kanë mbetur pa u përfunduar nga viti i kaluar.

Njëri nga këto projekte është edhe ndërtimi i Bulevardit të qytetit dhe Sheshit të Dëshmorëve në qendër të qytetit që ka një kosto rreth 2.5 milionë euro. Për ndërprerjen e tij shkak është bërë pandemia COVID-19.

Opozita në këtë qytet thotë se shumë projekte do të mund të mbesin të parealizuara, raporton KOHA.

Kryetari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë, Bajram Ajeti, thotë se përveç pandemisë, pasojë e dështimit të projekteve është edhe keqmenaxhimi dhe keqeverisja nga ekzekutivi komunal.

Edhe këshilltari komunal nga radhët e PDK-së, Rafet Llapashtica, thotë se disa projekte do të mund të realizohen, pasi të zgjidhet kryetari i ri në këtë komunë.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, e pranon se nëse do të zgjasë pandemia COVID-19, nuk do të mund të realizohen shumë projekte dhe se do të ketë edhe suficit buxhetor.

Për këtë, Rudari i është drejtuar me një shkresë ministres së Ekonomisë, Rozeta Hajdari, që 24 kompanive me të cilat kanë nënshkruar kontrata vitin e kaluar, t’u lejohet t’i zhvillojnë punimet, por përgjigjja ka qenë negative.

Rudari thotë se pas miratimit të Buxhetit të Kosovës, i kanë filluar procedurat e prokurimit për disa projekte, por se deri tash asnjë kontratë nuk e kanë nënshkruar.

Ai shpreson se pas 4 majit do të zbuten masat për lëvizje dhe se me këtë do t’u mundësohej edhe kompanive që t’i nisin punimet.