2 perditesime
21:21

Thaçi dënon dëmtimin e varrezave të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, kërkon hetim nga policia

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dënuar dëmtimin e varrezave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Komunën e Rahovecit.

“Dëmtimi i varrezave të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian në Komunën e Rahovecit është një akt i ultë dhe i papranueshëm në shoqërinë tonë shumetnike. Si president i vendit e dënoj ashpër këtë veprim të ulët dhe kërkoj nga Policia e Kosovës që ta hetojnë rastin dhe përgjegjësit t’i sjellin para drejtësisë”, shkruan Thaçi në Facebook.

Sipas Thaçit, komunitetet janë pasuri e Republikës së Kosovës.

“Harmonia ndëretnike është shembull për gjithë rajonin dhe nuk e lejojmë askënd që ta prishë atë”, përfundoi Thaçi.

20:17

Partia Liberale Egjiptiane dënon vandalizmin e varrezave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Rahovec

Partia Liberale Egjiptiane e ka dënuar vandalizmin e varrezave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Komunën e Rahovecit

“Me datë 10 prill 2020 përfaqësuesi i Partisë Liberale Egjiptiane Veton Berisha pranoi informatë nga një qytetar i komunitetit Egjiptian nga Komuna e Rahovecit, për dëmtimin e varrezave të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Komunën e Rahovecit”, thuhet në reagim.

Partia Liberale Egjiptiane dënon ashpër akte të tilla të cilat nuk e prezantojnë imazhin e demokracisë së Kosovës dhe ju bënë thirrje autoriteteve dhe organeve hetimore që të zbardhët sa më shpejtë rasti në fjalë.

“Për Partinë Liberale Egjiptiane rastet e tilla janë të papranueshme dhe ne për së afërmi do ti monitorojmë hetimet nga organet kompetente deri sa të sillet drejtësi”, përfundon reagimi i PLE.

17:03

Dëmtohen varrezat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Rahovec, komuna e dënon këtë akt të ulët

Varrezat e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas në komunën e Rahovec janë dëmtuar rëndë.

Një akt të tillë e ka dënuar ashpër kreu i kësaj komune, Smajl Latifi, i cili ka kërkuar nga organet e rendit që zbardh këtë rast.

“E dënojmë fuqishëm dëmtimin e varrezave të komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptas në komunën e Rahovecit. Ne qëndrojmë së bashku dhe solidarizohemi me komunitetet në Kosovë për të dënuar këtë akt të ulët të vandalizmit dhe përdhosjes”, ka shkruar Latifi në Facebook. “Distancohemi qartë nga veprime të tilla kriminale”.

Tutje ai ka shtuar se, “Kosova është vendlindja jonë e përbashkët, e harmonisë dhe bashkëjetesës, andaj çdo akt i dhunës dhe shpërfilljes së integritetit njerëzor, e dënojmë fuqishëm”.

Ai ka bërë thirrje që kryesit e këtij veprimi të dalin para drejtësisë.

“Ftoj organet e rendit që t’i ndriçojnë sa më shpejtë rrethanat e këtij akti ç’njerëzor dhe autorët e këtij veprimi të turpshëm të dalin para drejtësisë”, ka shkruar Latifi.