Arbëri

Kryetari Gashi thotë se dy të shëruar nga koronavirusi janë të Obiliqit

Foto: Xhafer Gashi / Facebook

Kreu i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, përmes një postimi në Facebook ka thënë se dy nga gjashtë të shëruarit nga Covid-19 janë nga kjo komunë.

“Ju njoftoj se nga rezultatet e analizave laboratorike të dala nga IKSHPK-ja për dy personat e vet-izoluar me COVID-19, kanë rezultuar negative dhe si rezultat janë të shëruar plotësisht. Po ashtu edhe një rast të dyshuar, nga mostrat e marrura ka rezultuar negativ”, ka thënë Gashi.

Tutje ai ka shtuar se “me këtë rast, personave të shëruar ju dëshiroj shëndet të plotë, falënderoj ekipën e QKMF-së dhe stafin policor që në vazhdimësi kanë qëndruar në kontakt me personat dhe familjarët e tyre duke iu ofruar përkrahjen”.

Ai ka bërë thirrje që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi.

“Në Obiliq situata po vazhdon të jetë e qetë dhe stabile, ju bëjë thirrje që të qëndroni në shtëpi, të respektoni rekomandimet e dala nga IKSHPK-ja, sepse vetëm të bashkuar do tejkalojmë këtë sfidë”, tha Gashi.

Në Kosovë sot janë shëruar nga Covid-19 edhe gjashtë persona, duke e çuar numrin në 16. Kurse 6 të tjerë kanë dalë pozitivë, duke e çuar në total numrin e të infektuarve në 132.