Arbëri

Policia thotë se Peja po tregohet e disiplinuar gjatë orarit për ndalim të lëvizjes

Ndryshimi i orarit të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve para katër ditësh nga Qeveria e Kosovës, ka ndikuar që rrugëve të Pejës të ketë më pak lëvizje gjatë orëve të lira për lëvizje, nga ora 17.00 deri në 6 të mëngjesit.

Kjo për dallim nga vendimi i parë që kishte marrë qeveria e që shkaktonte vërshime të rrugëve të qytetit prej makinave pas orës 16.00 kur fillonte pjesa e orarit të lirë të lëvizjes për katër orë.

Kështu ka deklaruar për KOHËN komandanti i Stacionit Policor të Pejës, majori Ndue Krasniqi.

“Për ndryshimin e kufizimit të lëvizjes, vlerësimi jonë është pozitiv dhe sipas nesh është vendim i qëlluar i Qeverisë që e ka ndryshuar orarin e ndalimit të lëvizjes, pasi vërehet se është më qetë rrugëve të qytetit edhe orëve të lira për lëvizje. Lëvizjet janë minimale edhe gjatë ditës. Vërehet se ka vetëdijesim të qytetarëve”, thotë majori Krasniqi.

Gjithashtu, edhe periudha pas orës 17.00, kur fillon orari i ndalimit të lëvizjes dhe deri në ora gjashtë të mëngjesit, sipas Krasniqit, është duke u respektuar nga qytetarët e kësaj komune.

“Nga vëzhgimeve tona në terren, vendimi për ndalimin e lëvizjes është duke u zbatuar strikt. Pas orës 17.00 ka lëvizje minimale dhe atë një kohë të shkurtër pas orës 17:00, kryesisht nga qytetarët që janë duke u kthyer nga puna. Pastaj është qetë dhe nuk ka lëvizje deri në mëngjes. Në përgjithësi, në gjithë zonën e përgjegjësisë të Stacionit Policor të Pejës, situata është e qetë dhe nën kontroll, përfshirë dhe vendbanimet në të cilat jetojnë edhe minoritetet. Dhe të gjitha vendimet e qeverisë janë duke u respektuar strikt”, thotë majori Krasniqi.

Ndërkohë, fshati Llugaxhi i Pejës vazhdon të jetë në izolim nga dita enjte, kur në këtë fshat është diagnostikuar një grua 73-vjeçare me virusin COVID-19, që ka qenë rasti i parë dhe i vetmi deri tash në komunën e Pejës i infektuar me koronavirus.

Në këtë fshat, siç thotë Petrit Loci, shef i Shtabit emergjentë në këtë komunë, aktualisht nuk ka ndonjë qytetar me simptoma të dyshuara, por sipas tij, një qytetar i Pejës është dërguar të martën për testim në Klinikën Infektive në QKUK. Ky pacient nuk është nga fshati Llugaxhi, siç thotë Loci, por është nga lagja Dardania në Pejë, ku dy familje janë tash e katër ditë në izolim, për shkak se janë persona kontakti me gruan e infektuar me koronavirus nga fshati Llugaxhi.

Pavarësisht rezultatit të testit, Loci tha se lagja Dardania nuk do të futet në izolim, por mbesin në izolim vetëm familjet që kanë pasur kontakt me të infektuarën nga fshati Llugaxhi.

Loci tregoi se ditët e kaluar e deri me sot, ka vazhduar edhe dezinfektimi i objekteve më të frekuentuara publike. Gjatë këtyre ditëve, sipas tij, janë dezinfektuar 35 objekte publike, në mesin e tyre, objektet shëndetësore, ndërtesat e komunës, dy çerdhe, shtëpia emergjente, shtëpitë e komuniteteve dhe një mense humanitare, e në ndërkohë do të vazhdohet me dezinfektim të objekteve publike.

Ndërsa, rrugët e qytetit javë dezinfektuar vetëm javën e kaluar dhe siç shtoi Loci, dezinfektimi i rrugëve ka mundësi të bëhet këtë javë me fazën e dytë të dezinfektimit.