Arbëri

Rasti i konfirmuar me COVID-19 nga Prizreni ishte në vetizolim pas ardhjes nga Bullgaria

Autoritetet lokale të Prizrenit kanë bërë të ditur se rasti i konfirmuar me COVID-19 është një burrë 58 vjeç nga lagja “Ortakoll”.

Drejtori i Shëndetësisë dhe njëherësh koordinatori i Shtabit emergjent lokal, Visar Shehu të martën ka deklaruar se ky person është infektuar jashtë vendit.

“Personi në fjalë ka 2 javë që ka ardhur në Kosovë nga Bullgaria. Ai ka qenë në vetizolim... Sipas informacioneve që kemi, ai nuk ka patur kontakte për shkak të vetizolimit dhe vetkarantinimit. Në ditën e 12-të të vetkarantimit apo vetizolimit, personit në fjalë kanë filluar t’i shfaqen simptomat e para, temperatura dhe dje ka shkuar për tu testuar dhe sot kemi rezultatin që ka dalë pozitiv, apo i infektuar me virusin COVID-19”, ka thënë Shehu.

Sipas tij, në këtë rast është testuar edhe bashkëshortja e personit në fjalë dhe ajo ka rezultuar negative.

“IKShPK-ja, në bazë të anamnezës, të gjithë personat që kanë pasur kontakt eventualisht me të, do t’i testojë”, ka deklaruar Shehu.

Koordinatori i Shtabit emergjent komunal ka bërë të ditur se në Komunën e Prizrenit në vetizolim kanë qenë 22 persona, të gjithë të ardhur nga shtetet e prekura me koronavirus, të cilët janë rekomanduar që të vetizolohen.

“Një pjesë e madhe e tyre kanë kaluar fazën e vetizolimit 2 javësh”, ka thënë Shehu, duke u bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar dhe t’i respektojnë masat e vendosura nga institucionet përgjegjëse.