Kosovë

Spitali i Pejës ofron komunikim online me qytetarët nëpërmjet Facebookut

Spitali i Pejës ofron komunikim online me qytetarët nëpërmjet Facebookut

Spitali i Përgjithshëm i Pejës prej ditës së martë do t’ua mundësojë qytetarëve të rajonit që ai mbulon komunikimin përmes Facebookut me mjekët e këtij spitali. Me këtë projekt, siç njoftoi të hënën Zyra për informim e këtij spitali, kanë për synim që spitali të jetë sa më afër qytetarëve që kanë shqetësime shëndetësore gjatë kësaj kohe të ballafaqimit me pandeminë e koronavirusit.

“Me qëllimin që qytetarëve t’u jepen sa më shumë këshilla shëndetësore pa pasur nevojë që të dalin nga shtëpitë e tyre, Spitali i përgjithshëm në Pejë fillon të realizojë projektin e emërtuar ‘Direkt me doktorin’, në kuadër të të cilit mjeku specialist do t’iu përgjigjet direkt pyetjeve të pacientëve në faqen zyrtare të Spitalit, në Facebook. Projekti fillon nga dita e martë, 31 mars, prej orës 09:00, dhe mjeku i parë që do të jetë drejtpërdrejt në Facebook me pacientët është infektologu Zenel Shatri”, thuhet në njoftimin e spitalit, raporton KOHA.