Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Malishevës, të hënën, kanë miratuar vendimin për bartjen e 150 mijë eurove me qëllim të menaxhimit të situatës së krijuar me koronavirus. Në seancën e jashtëzakonshme, drejtuesit e pushtetit lokal kanë vlerësuar se kjo komunë është më e prekura me COVID-19 në nivel vendi.
Kryesuesi i KK-së, Rrahim Morina, ka theksuar se prej 94 të infektuarve në nivel vendi, 33 prej tyre janë nga Komuna e Malishevës, raporton KOHA.
“Kjo do të thotë se Malisheva është njëra ndër komunat më të rrezikuara nga kjo pandemi”, ka thënë ai, duke sqaruar se ai bashkë me shefat e grupeve të këshilltarëve dhe me kryetarin e Komunës janë pajtuar për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme.
Kryetari i Komunës, Ragip Begaj, ka paraqitur gjendjen aktuale në këtë komunë dhe ka shprehur nevojën për ndarjen e mjeteve me qëllim të marrjes së masave shtesë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, sikurse edhe mbështetjen për familjet në nevojë gjatë kësaj situate.
“Gjendja në Komunën e Malishevës nuk është e mirë... Malisheva e banë barrën më të rëndë në nivel vendi”, ka thënë Begaj, teksa ka rikujtuar edhe shqetësimet e shprehura në adresë të nivelit qendror. Ai ka theksuar se Shtabi Emergjent lokal është në veprim dhe se po bën përpjekje për menaxhimin e situatës aktuale.
Ndërsa drejtori për ekonomi dhe financa, Valon Mazreku, ka pohuar se kërkesa për bartjen e mjeteve nga investimet kapitale te mallrat e shërbimet është hartuar bashkërisht mes zyrtarëve të KK-së e ekzekutivit dhe se shuma totale e mjeteve për menaxhimin e situatës aktuale është 150 mijë euro.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.